Ndalohet pirja e duhanit - Foto: KALLXO.com

Komuna e Drenasit u Shpall ‘Luftë‘ Duhanxhinjve që Shkelin Ligjin

Komuna e Drenasit ka njoftuar se që nga fillimi i vitit ka marrë masa ndëshkuese ndaj shkelësve të Ligjit për kontrollin e duhanit.

Masat ndëshkuese sipas Komunës janë ndërmarrë nga Drejtoria për Inspeksion me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve nga rreziku i ekspozimit jo të vullnetshëm ndaj tymit të duhanit.

Si rezultat i kësaj, që nga janari i vitit 2017, ndaj personave fizikë dhe juridikë në komunën e Drenasit janë shqiptuar 44 gjoba mandatore, në vlerë prej 2.270 euro.

“Obligohet personi përgjegjës i secilit subjekt afarist të ndaloj pirjen e duhanit brenda lokalit dhe të mbikëqyrë respektimin e ndalesës së pirjes së duhanit”, thuhet në njoftimin e Komunës së drejtuar nga Ramiz Lladrovci.

Komuna paralajmëron se ndaj personave fizikë dhe juridikë që bëjnë shkeljen e këtij Ligji do të pasojnë masat ndëshkuese sipas Ligjit në fuqi.