Rasim Selmanaj | Foto: Facebook

Komuna e Deçanit Mbetet pa Kryetar

Rasim Selmanaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Komunës së Deçanit, duke vendosur ta mbajë pozitën e deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Rasim Selmanaj ka marrë votat e mjaftueshme në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit për t’u zgjedhur deputet  nga radhët e koalicionit PAN.

Lajmin për dhënien e dorëheqjes nga  pozita e kryetarit të Deçanit për postin e deputetit, e ka bërë të ditur vetë Selmanaj me anë të një postimi në rrjetin social Facebook.

Bashkangjitur me shkrimin falënderues për qytetarët e Deçanit për mbështetjen e dhënë ndër vite për të, Semanaj ka postuar në profilin e tij, edhe dokumentin e deklaratës së dorëzuar  te Komisionit Qendror i Zgjedhjeve se pranon postin e deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe tërheqjen nga pozita e kryetarit të komunës.

“Po ndalem te vitet 2009-2017 si kryetar i Komunës së Deçanit!Tetë vite i ndava me ju në punë e në zhvillime, jo rrallëherë sfiduese! Në çdo rrethanë ishim bashkë, siç thotë populli ‘ n’Dekë e n’Dasëm…”, ka shkuar Selmanaj në profilin e tij.

Edhe para zgjedhjeve Selmanaj kishte deklaruar për KALLXO.com se nëse zgjidhet deputet do ta mbajë këtë pozitë, ndërsa do të tërhiqet nga posti i kryetarit të komunës.

Selmanaj kishte thënë atëherë se deri në zgjedhjet lokale në vend të tij komunën do ta drejtojë nënkryetari i Komunës së Deçanit, Sami Cacaj.

“Deri në korrik nuk do certifikohem si deputet, momentin kur certifikohem unë shkoj në Parlament, mandatin e kryetarit e vazhdon nënkryetari”, ishte shprehur Selmanaj për KALLXO.com.

http://kallxo.com/ahmeti-e-kusari-lila-duan-drejtimin-e-komunave/

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 22 tetor të këtij viti. Këtë datë për to e ka caktuar Presidenti Hashim Thaçi pas konsultimeve me përfaqësues të partive politike.

http://kallxo.com/presidenti-vendos-qe-zgjedhjet-lokale-te-mbahen-22-tetor/