Kompania Ndërtimore e Quan të Paligjshëm Vendimin për Pezullim të Lejes

Banorë të lagjes private ‘Prishtina Stars’ me investitor ‘Konak Construction’, kanë raportuar në KALLXO.com nën dyshimet se ky investitor ka filluar ndërtime të jashtëligjshme pa konsultim me banorët e tanishëm që konsiderohen bashkëpronarë.

Alban Ramabaja, përfaqësues i Këshillit të Banorëve të këtij kompleksi për emisionin ‘Jeta në Kosovë’ ka ndarë shqetësimin për ndërrimin e planit të lagjes ‘Prishtina Stars’ që ishte reklamuar se do të jetë lagje e mbyllur.

Sipas tij, me lejen ndërtimore që Drejtoria e Urbanizmit të Prishtinës i ka dhënë “Konak Construction”, objekti i ri që do të ndërtohet do të ndikojë në uljen e kualitetit të jetesës së banorëve dhe ndërrimin e kushteve për të cilat kanë blerë fillimisht banesat.

Me këtë shqetësim banorët i janë drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e cila ka nxjerrë një vendim në tetor të vitit 2016 i cili e urdhëron Komunën e Prishtinës që t’i rishqyrtojë kushtet ndërtimore dhe lejen e lëshuar.

Në anën tjetër, investitori ‘Konak Construction’ ka mohuar akuzat e banorëve duke thënë se pronarët e banesave kanë të drejta bashkëpronësie vetëm në njësitë banesore dhe tokën ku gjenden këto banesa.

“Pas ndërtimit të ndërtesave sipas lejes ndërtimore Konak Sh.p.k është ndër investitorët e vetëm që ka bërë pranimin teknik, ka marrë lejen e përdorimit si dhe ka bërë regjistrimin e të gjitha njësive në kadastër dhe është pajisur me fleta poseduese. Konak Sh.p.k nuk ka pretendime në pronat të cilat i posedojnë banorët që në këtë rast janë njësitë banesore dhe janë pjesë e ndërtesës ku bashkëpronësia kufizohet vetëm brenda ndërtesës dhe në tokën ku është vendosur gabariti i ndërtesës”, është përgjigja e ‘Konak Construction’ për emisionin ‘Jeta në Kosovë’.

Kjo kompani gjithashtu ka deklaruar se nuk ka marrë njoftim zyrtar nga MMPH apo Komuna e Prishtinës mbi vendimin për pezullim të lejes ndërtimore.

Megjithatë ata kanë komentuar këtë vendim duke e cilësuar të paligjshëm dhe kanë reaguar me një shkresë drejtuar Komunës së Prishtinës.

Në këtë shkresë ata kërkojnë që komuna të injorojë këtë vendim meqë sipas tyre është i jashtëligjshëm.

“Ne jemi vënë në dijeni për vendimin e MMPH-së tash vonë dhe nuk jemi informuar zyrtarisht as nga MMPH e as nga Komuna e Prishtinës në lidhje me këtë vendim. Me të kuptuar për Vendimin e MMPH-së, ne kemi analizuar të njëjtin dhe duke qenë se të drejtat tona si Investitor i huaj në Kosovë mund të ndikohen nga Vendimi i MMPH-së, i kemi drejtuar një shkresë Komunës së Prishtinës, të cilës i drejtohet Vendimi, ku kemi shprehë pikëpamjen tonë në lidhje me atë Vendim. Ne kemi dyshime serioze që Vendimi i Inspektoratit të MMPH-së është i paligjshëm sepse ai është marrë në kundërshtim me ligjet që rregullojnë këtë çështje”, thuhet tutje në reagimin e Konak Construction.

Në linkun e mëposhtëm mund ta ndiqni emisionin ‘Jeta në Kosovë’, një pjesë e së cilit ka trajtuar problemet me leje ndërtimore në Komunën e Prishtinës.