Komisioni Sugjeron Financimin e RTK-së Përmes Faturave

Anetarët e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media janë duke e bërë Shqyrtimin e propozimeve për hartimin e ligjit për transmetuesin publik të Kosovës (RTK).

Kryetari i këtij komisioni, Nait Hasani, tha në fillim të mbledhjes së sotme se pjesa më e madhe e këtij draft-ligji është harmonizuar, ndërsa shumë çështje të këtij ligji ka thënë se do të duhej t’u liheshin deputetëve që t’i zgjidhin në seancë, atëherë kur dokumenti do të dalë për diskutim dhe votim.

Por Hasani ka thënë se ky Komision ka zgjedhur të rekomandojë formën e pagesës së RTK-së përmes faturave.

“E kemi pa të arsyeshme të shkojmë me pagesën drejtpërdrejtë nga faturat”, tha Hasani duke shtuar se shuma e pagesës ka mbetur të caktohet.

“Jemi për të siguruar një pavarësi të RTK-së dhe besoj që me këtë (projektligj) ia arrijmë këtë”, shtoi ai.

Parapagimi i RTK-së përmes faturave të energjisë prej 2.5 euro është praktikuar deri në vitin 2009 kur Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme duke e ndërprerë këtë mënyrë të financimit të transmetuesit publik. Që nga atëherë, RTK financohet nga buxheti i Kosovës.

Nga mbledhja e sotme e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media. Foto: Kallxo.com