Pamje nga tryeza për demarkacionin - Foto: KALLXO.com

Komisioni Publikon Pronat e 37 Kosovarëve në Bjelluhë

Duke mbrojtur vijën e përcaktuar kufitare me shtetin fqinj në bazë të marrëveshjes së demarkacionit të nënshkruar më 26 gusht 2015, Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit bëri të ditur se këta 37 qytetarë nga Peja e Deçani vazhdimisht kanë paguar tatimet dhe obligimet tjera në Komunën e Plavës së Malit të Zi.

“Për pronat e këtyre pronarëve në territorin e Malit të Zi i kanë edhe fletët poseduese nga Komuna e Plavës në gjithë periudhën 1974-2015, por edhe më herët se kjo periudhë. Këta pronarë e pohojnë dhe ofrojnë dokumentacionin me fletëposeduese, për pagesën e tatimit atje dhe janë prona në Mal të Zi edhe para periudhës 1974-2015,” thuhet në komunikatën e komisionit.

Në komunikatë sqarohet se pronat e këtyre qytetarëve ndodhen në zonën kadastrale të quajtur Velikë të Komunës së Plavës, në vendin e quajtur Bjelluhë.

Sipas komisionit, pagesa e obligimeve të këtyre qytetarëve në Plavë dëshmon se Bjelluha e Çakorri janë në Mal të Zi, ndërsa vija kufitare e përcaktuar me marrëveshje është e saktë.

Komisioni në komunikatë bën me dije se pavarësisht që i kanë pronat në shtetin fqinj, këta kosovarë mund t’i shfrytëzojnë ato pa problem.

“Kjo nënkupton se qytetari nga Kosova është pronar i pronës në anën tjetër të kufirit, i ka pronat në territorin e Malit të Zi, por i gëzon të gjitha të drejtat sikurse shtetasit rezidentë të atij shteti,” sqaron komunikata.

Komisioni që përcaktoi vijën kufitare me Malin e Zi, vazhdimisht e ka mbrojtur atë, ndërsa disa nga ekspertët dhe partitë opozitare thonë se Kosova humb tokë nga marrëveshja e vitit të kaluar.

Kryeministri Mustafa dhe Presidenti Thaçi vazhdimisht kanë bërë thirrje që të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit, duke i quajtur pretendimet opozitare dhe ato të ekspertëve për humbje territori kauzë të rreme.

Banorët e Rugovës dhe fshatrave kufitarë me Malin e Zi të komunave tjera kosovare kanë kundërshtuar vijën e përcaktuar me marrëveshje.

Seanca kur në rend dite të Kuvendit të Kosovës do të jetë ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi është caktuar më 1 shtator. Atë ditë Lëvizja “Vetëvendosje”  ka paralajmëruar protesta.