Komisioni Pret Deri të Premten Rekomandimet për Ligjin e RTK-së

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, përfaqësues të RTK-së dhe grupe të interesit, janë takuar sot për të nisur konsultimet për hartimin e Ligjit për Radio Televizionin e Kosovës.

Në këtë takim, janë dhënë propozime dhe vërejte të ndryshme se si do të duhet të jetë Ligji për RTK-në.

Kryetari i Komisionit Nait Hasani, u ka propozuar të pranishmëve që të flasin për propozime konkrete e jo të debatojnë.

Rasim Selmanaj, anëtar i komisionit nga AAK-ja, tha se beson që në dinamikat që i ka vendosur komisioni së shpejti do ta përfundojnë ligjin.

“Këtë herë ligjin kemi me bo. Besoj shumë që në këto dinamika që i ka vendos komisioni do ta kemi një Ligj të mirë për RTK”, tha ai.

Edhe Milaim Zeka, anëtar i komisionit nga NISMA, u zotua se do ta bëjnë ligjin.

“Është mirë se ne si komision i kemi ra shkelëm politikës dhe kemi me bo Ligjin”, tha ai.

Xhevahire Izmaku, nga PDK, pati propozime konkrete për pjesën e financimit të RTK-së.

Izmaku propozoi që financimi i RTK-së të bëhet përmes parapagimit të tarifës fikse 2.5 euro përmes faturës së energjisë elektrike dhe 0.4 nga buxheti.

Kurse për çështjen e pronës tha se do ta kenë më të lehtë të vendosin.

“Çështjen e pronës e kemi pak ma lehtë pasi është caktu prona ku do të ndërtohet”, u shpreh ajo.

Në këtë takim kanë diskutuar fillimisht Bordi, menaxhmenti dhe sindikatat e RTK-së.

Kryetarja e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi, tha se Bordi dhe menaxhmenti i kanë identifikuar nevojat e këtij transmetuesi për të siguruar një financim të sigurt.

Në fund të takimit kryetari i Komisionit, Nait Hasani, ka thënë se deri të premten do të pranojnë propozimet me shkrim dhe më pas do të formojnë grupin punues, i cili do të merret me hartimin e Ligjit për  RTK-në.