Komisioni pa Kuorum për ta 'Disiplinuar' Veselin në Rastin e Frashër Krasniqit

Në mungesë kuorumi, ngase deputetët e partive në pushtet nuk ishin të pranishëm, dështoi mbledhja e jashtëzakonshme e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, ku do të flitej për akuzat për shkelje të Rregullores së Punës nga kreu i Kuvendit Kadri Veseli gjatë seancës së sotme.

Pasi kryeparlamentari Veseli ia ndërpreu fjalën deputetit të VV-së, Frashër Krasniqi, kjo parti lëshoi seancën dhe mbajti edhe konferencë, me pretendimin se krye parlamentari ka shkelur Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Më pas, kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu (VV), thirri mbledhje të jashtëzakonshme të këtij komisioni për të folur rreth shkeljes së Rregullores së Kuvendit nga Kryetari Veseli.

Por, në këtë mbledhje ishin të pranishëm vetëm deputetët e opozitës, por jo edhe ata të pozitës, kësisoji nuk kishte kuorum.

“Ajo çka po du me thanë është që kryetari ka kohë që po e shkel rregulloren, e sot ndodhi përsëri kur ia ndërpreu fjalën deputetit Frashër Krasniqi, edhe pse s’kishe ndonjë fjalë fyese, por ishte gjuhë parlamentare”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se edhe nëse gjuha e Krasniqit nuk do të kishte qenë parlamentare, Veseli nuk ka të drejtë t’ia ndale fjalën, por siç tha ajo “ishte dashtë t’i japë vërejtje”.

“Këtu s’ka kuorum, por javën tjetër duhet te mblidhemi përsëri për të vendosur”, tha Haxhiu.

Ndërsa shefi i GP VV, Glauk Konjufca tha se  institucionet publike dhe funksioni publik është i përshkruar përmes rregullave të caktuara dhe se ata funksionojnë përmes ligjeve.

Ai tha se kreu i Kuvendit ka thënë se “kështu po veproj sepse kështu po ma do qejfi”,  duke shtuar se ai e drejton seancën sipas qejfit, e jo sipas ligjit.

Ndërsa deputeti i LDK-së Arben Gashi tha se ajo çfarë ka ndodhur në seancë është sjellje e tepruar e kryetarit të Kuvendit.

“U vërejt një qasje konfliktuoze e deputetit Krasniqi, por kryetari i Kuvendit do duhej t’ia tërhiqte vërejten e jo të vepronte asisoj. Kemi pasë raste të tjera në Kuvend, kur kryetari i Kuvendit s’ka marrë masa, kur na keni gjuajt me gaz e me ve, kur është sulmu Kryeministri e deputetët dhe këtu ka një diskrepancë të madhe”, tha ai.

Edhe deputeti Korab Sejdiu tha kryetari nuk mund të vendosë krye në vete.

“Nuk mundet kryetari me kokë të vete me vendos se çka mundet dhe çka s’mundet me thanë deputeti”.

Në fund, kryetarja e komisionit lexoi edhe nenin 41 të rregullores së punë së kuvendit, ku flitet për mbarëvajtjen e punimeve të kuvendit.

Përveç Albulena Haxhiut si kryetare, në këtë komision të pranishëm ishin edhe Glauk Konjufca dhe Sami Kurteshi nga VV, si dhe Arben Gashi e Korab Sejdiu nga LDK.

Në këtë mbledhje nuk ishin të pranishëm deputetët e partive në pushtet.

Komisioni do të mblidhet përsëri të martën, ku përveç pikave tjera në rend dite do ta ketë edhe këtë çështje.