Nga mbledhja e Komisionit për Mathjet e Territorit | Foto: KALLXO.com

Komisioni: Çakorri Jashtë Republikës

Komisioni për Matjen e Territorit paraqiti sot draft-raportin me të gjithë dokumentacionin që lidhen me madhësinë e territorit të Kosovës.

Kryetari i këtij komisioni, akademik Hivzi Islami paraqiti në fillim një historik të matjeve dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi të nënshkruar më 26 gusht 2015 në Vjenë.

Islami renditi argumentet që sipas tij dëshmojnë që vija kufitare me Malin e Zi është përcaktuar siç duhet.

Ai tregoi se të gjithë ata që duan të shohin dokumentacionet e rezultateve të matjes së dhe të paraqesin vërejtjet e tyre mund ta bëjnë këtë nga sot deri më 24 shkurt.

Më pas drafti sipas Islamit do t’i shkojë qeverisë.

Edhe Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në një intervistë për KALLXO.com të publikuar sot, tha se raporti për matjen e territorit do t’i shkojë Kuvendit, përpara se në legjislativ të dërgohet përsëri marrëveshja që përcakton vijën kufitare me Malin e Zi.

http://kallxo.com/isa-mustafa-shperfill-gazin-lotsjelles-dhe-thirrjet-per-doreheqje/

Islami tha se nga matja e territorit është konstatuar se Kosova ka 10905.25 kilometra katrorë.

Pas Islamit, draft-raportin për matjen e territorit e paraqiti eksperti Tomor Çelaj.

Çelaj gjatë fjalës së tij paraqiti tekste e harta të ndryshme, sipas të cilave Çakorri e Belluha janë jashtë territorit të Kosovës.

Ai deklaroi se sikur Kosova të kishte humbur territor me marrëveshje nuk do t’i kishte gati 11 mijë kilometra, por më shumë se 8 mijë kilometra.

Dje nga Komisioni për Matjen e Territorit dha dorëheqje gjeografi Fitim Humolli, duke treguar se nuk është pajtuar me anëtarët tjerë të komisionit rreth matjeve.

Më 24 janar, pasi Kryeministri Isa Mustafa e dha idenë e matjes së territorit, e caktoi si kryetar të komisionit për këtë matje akademik Hivzi Islamin.

http://kallxo.com/hivzi-islami-ne-krye-te-komisionit-per-matjen-e-territorit/

Opozita në Kosovë, por edhe ekspertë dhe deputetë edhe të pozitës nuk pajtohen me vijën e caktuar kufitare me Malin e Zi.

Marrëveshja e demarkacionit doli para deputetëve, por u tërhoq më 1 shtator 2016.

http://kallxo.com/qeveria-terheq-demarkacionin-nga-rendi-dites/

Kjo marrëveshje është paralajmëruar të dërgohet përsëri në Kuvend gjatë marsit të këtij viti.