KOMF: Shteti nuk Ofron Mbrojtje për Fëmijët që Janë Viktimë e Narkotikëve

Rrjeti i organizatave për mbrojtjen e fëmijëve, KOMF, në raportin e fundit  ka vlerësuar se Kosova nuk ofron shërbime të veçanta të rehabilitimit fizik dhe psikologjik për fëmijët viktima të abuzimit me narkotikë.

“Në thelb nuk ka shërbime të veçanta për rehabilitimin fizik, psikologjik, dhe ri-integrimin social që mbështesin fëmijët që janë viktima të abuzimit me narkotikë. Trajtimi mjekësor bazohet kryesisht në programet e detoksikimit që përdorin barna nga Lista esenciale e barnave të financuara nga Ministria e Shëndetësisë”, thuhet në indeksin për Mbrojtjen e Fëmijëve të publikuar nga KOMF.

Sipas kësaj organizate, shteti i Kosovës nuk jep dënime shtesë për të rriturit të cilët u shesin apo i japin fëmijëve substanca narkotike.

“Kodi Penal përcakton moshën minimale prej 16 vjeç për blerjen e alkoolit. Deri më tani, korniza ligjore ka caktuar moshën minimale prej 18 vjeç vetëm për blerjen e duhanit. Kosova duhet të parashikojë ndëshkime shtesë në Kodin Penal për shkeljet që kanë të bëjnë me narkotikë”, thuhet në këtë raport.

Në raportin e KOMF-it thuhet se subjektet shtetërore duhet të mbështesin procesin e ri-integrimit të fëmijës i cili është viktimë e abuzimit me narkotikë

Kjo organizatë i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të caktojë si prioritet mbrojtjen e fëmijëve që janë viktima të abuzimit me narkotikë përmes krijimit, sponsorizimit dhe zhvillimit të shërbimeve në nivel shtetëror.

Gjithashtu është vlerësuar edhe nevoja që Kosova ka për krijimin e mekanizma që grumbullojnë të dhënat për të gjeneruar informata për nivelin e përhapjes së rasteve të abuzimit me narkotikë.