Prezantimi i raportit të KOMF-it | Foto: KALLXO.com

KOMF: Shoqëria Dhunën ndaj Fëmijëve e Konsideron Disiplinim

Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjet e Fëmijëve (KOMF)u ngrit kundër mentalitetit që arsyeton dhunën si formë të disiplinimit të fëmijëve.

Ky koalicion prezantoi sot raportin lidhur me të drejtën themelore të fëmijëve për ta jetuar një fëmijëri pa dhunë.

Raporti konstatoi se 61 për qind e fëmijëve preken nga dhuna, ndërsa dha rekomandime për ndalimin e kësaj dukurie.

Klevis Vaqari nga KOMF që prezantoi edhe raportin, tregoi se shoqëria ende arsyeton format e dhunës ndaj fëmijëve.

“Për fat të keq shoqëria jonë ende e konsideron dhunën si formë të rritjes dhe disiplinimit të fëmijëve. Në bazë të konsultimeve e të gjeturave, përgjithësisht, dhuna është element i pranuar në shoqëri dhe deri diku ajo justifikohet edhe nga vetë fëmijët, si formë e disiplinimit të tyre”, tha Vaqari.

Ndërsa, Melita Kabashi, nga Save the Children në Kosovë tregoi se kjo organizatë është duke bërë fushatë kudër dhunës ndaj fëmijëve.

“Jemi duke punuar edhe në aspektin e legjislacionit ku përmes Draft-projektligjit të mbrojtjes së fëmijës jemi përkushtuar që ta ndalojmë ndëshkimin trupor në të gjitha ambientet”, tha Kabashi.

Gjithashtu, në këtë konferencë mori pjesë edhe aktorja Leze Qena, pjesëtare e iniciativës “Miqtë e Fëmijëve”.

Ajo tha se ndikimi i dhunës në fëmijëri është i madh dhe afatgjatë.

“Vitet e para të jetës janë shumë domethënëse dhe të rëndësishme për zhvillimin e fëmijës… Marrëdhëniet e qëndrueshme me personat e tjerë janë gjëra të cilat kanë ndikim të madh për secilin fëmijë. Gjatë këtyre viteve themeli është shëndeti fizik i fëmijës”, tha Qena.

Në raportin e KOMF-it rekomandohet “ndalimi i ndëshkimit trupor, me ligj në të gjitha ambientet ku fëmija e zhvillon ekzistencën e tij”, zbatimi i ligjeve dhe politikave të mbrojtjes së fëmijëve, “nxitja dhe promovimi i raportimit” të dhunës ndaj tyre (përmes krijimit të një linje telefonike), zhvillimi i programeve të prindërimit me praktika të disiplinës pozitive për të gjithë ata që kujdesen për fëmijët, vetëdijesimi dhe fushatat në nivel shtetëror kundër dhunës ndaj fëmijëve.

Në fillim të marsit KOMF konstatoi se Kosova nuk po i trajton si duhet fëmijët që punojnë në rrugë.