Naser Oriq ditën e lirimit nga akuzat. Foto: Beta/HINA/FENA/Almir Razic.

Komandantit Oriq ‘S’i Vjen Turp’ nga Veprimet që Bëri Gjatë Luftës

Ish-komandanti i Srebrenicës i Ushtrisë Boshnjake Naser Oriq tha në një intervistë pasi u lirua nga gjykata shtetërore në Sarajevë se ai luftoi me ndershmëri dhe se nuk i vinte turp nga ato që ai kishte bërë gjatë luftës.

“Më vjen keq që shpërtheu lufta dhe që u desh të luftonim me njëri-tjetrin, por nuk e nisa unë luftën. Më vjen keq për familjet në të dyja anët që e gjetën veten në këtë ‘tenxhere boshnjake’,” tha Oriq në një intervistë për faqen e internetit në Bosnjë “Faktor”.

Ai shtoi se nuk ishte nervoz gjatë dhënies së vendimit të hënën sepse ai ishte i sigurt që do ta shpallnin të pafajshëm.

Prokuroria pretendonte se Oriq, i cili ishte komandant i njësive të mbrojtjes territoriale të Ushtrisë Boshnjake, dhe Muhiq, i cili ishte vartës i tij, vranë robër serbë në fshatrat Zalazje, Lolic dhe Kunjerac në 1992.

Çështja ishte tepër e diskutuar sepse Oriq shihet si hero nga shumë boshnjakë për rolin e tij në mbrojtjen e Srebrenicës në vitet para masakrave të vitit 1995, ndërsa disa serbë kanë pohuar se akuzat kundër tij duhet të ishin më të ashpra.

Vendimi shkaktoi reagime të ashpra nga liderët serbë dhe serbë të Bosnjës, të cilët dënuan gjykatën boshnjake.

I pyetur për reagimet e ministres së Drejtësisë të Serbisë, Nela Kuburoviq, e cila tha se gjykatat serbe do të vazhdojnë ta gjykojnë atë për vrasje të civilëve serbë, Oriq tha se ai nuk di asgjë për këtë gjyq.

“Unë i përgjigjem autoriteteve boshnjake dhe Gjykatës së Hagës, përsa i takon agresorëve – u përgjigjem ndryshe atyre,” tha Oriq.

Oriq u lirua nga akuzat për krime lufte nga Gjykata e Hagës në vitin 2008.

Ai shtoi se s’do të ndihet kurrë i sigurt nga aktakuzat e reja, të cilat ai shprehet se janë të motivuara politikisht.

“Në lidhje me aktakuzat e reja, unë jam këtu. Nuk po ia mbath. Luftova për këtë vend dhe kam ndërmend të vdes aty,” tha ai.