Kolegji 'Mehmet Akif', Foto: Facebook

Kolegji ‘Mehmet Akif’ Dënohet me 12 Mijë Euro për Shkelje të Privatësisë

Gjykata Themelore në Prishtinë, sipas të gjeturave nga inspektimi i zhvilluar nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (ASHMDHP) e ka dënuar Kolegjin “Mehmet Akif” me 12 mijë euro për shkelje të privatësisë përmes vëzhgimit me kamera.

“Me kërkesë të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të inicuar më 05 maj 2016, për fillimin e procedurës kundërvajtëse ndaj kolegjit ‘Mehmet Akif’, më 09 shkurt 2018, Divizioni për Kundërvajtje i Gjykatës Themelore në Prishtinë, shqiptoi gjobën prej €12.000 për përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamera në hapësira që nuk lejohet instalimi i kamerave”, thuhet në njoftimin për media të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Zyrtarë të Agjencisë, gjatë inspektimit të zhvilluar në maj të vitit 2016, kishin konstatuar se ky kolegj kishte instaluar kamera në hapësira të punës, si zyra, mësonjëtore (klasa mësimi) si dhe hapësira sanitare (tualete të kolegjit).

Kjo mënyrë e përpunimit të të dhënave personale përmes vëzhgimit me kamera bie ndesh me dispozitat 62 dhe 64 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale thuhet në njoftimin për media dhe si e tillë përbën shkelje të privatësisë së individit.

“Vlen të theksohet se vëzhgimi me kamera lejohet vetëm nëse konsiderohet e nevojshme për sigurinë e njerëzve dhe sigurimin e pasurisë, edhe atë vetëm në hyrjet e ndërtesave, por jo edhe në hapësirat e brendshme të punës, e aq më pak në hapësirat sanitare, respektivisht tualete”, theksohet në njoftimin për media të ASHMDHP-së.