‘Kodra e Trimave’ Proteston Kundër Ndaljes së Shpeshtë të Rrymës

Dhjetëra banorë të lagjes “Kodra e Trimave” të kryeqytetit kanë bllokuar rrugën “Vëllezërit Fazliu”, që çon drejt Podujevës.

Nën thirrjet “Duam rrymë“, ata kanë protestuar për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike.

Nazmi Berisha, një prej banorëve të lagjes tha se me reduktime nuk po përballen vetëm këto ditë, por qe 17 vjet. “Unë mendoj që duhet me e ndjek shembullin Rumanisë edhe na në qoftë se dojmë me arritë diçka sepse sa të jetë kështu kurrë përpara s’kemi me shku”, tha Berisha.

Kurse, Xhevdet Abazi tha se shpesh ndodhë që 3 orë kanë rrymë e 3 jo. “Arsyet janë se po kemi reduktime të shpeshta të energjisë elektrike, p.sh. 3 me rrymë 3 pa rrymë. Ka raste që edhe 4 orë jemi pa rrymë e 2 me rrymë. Dojmë m’i tregu KEDS-it që edhe kjo lagje është Prishtinë”, tha Abazi.

E Leonora Beka, e cila tha se është paguese e rregullt e rrymës, kërkon nga KEDS-i që rrymën t’ia ndalë atij që nuk paguan e jo në mënyrë kolektive. “Unë në shenjë revolte marr pjesë në këtë protestë për shkak se bëhet diskriminim në lagjen tonë, gjatë gjithë ditës 3 orë skem rrymë edhe pse jemi pagues të rregullt”, tha Beka.

Protestuesit paralajmëruan se nëse vazhdojnë ndërprerjet e rrymës në ditët në vijim do të protestojnë para zyrave të KEDS-it.

Policia ishte e pranishme gjatë kësaj proteste, e cila zgjati rreth 20 minuta dhe përfundoi e qetë.