Nënshkrimi i marrëveshjes për koalicion PDK- PD. Foto: Zëri/Video/Facebook

Koalicioni i PDK-së me Partinë e Njeriut me Aktakuzë për Aferën ‘Stentat’

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, nënshkroi sot marrëveshje koalicioni parazgjedhor me Partinë e Drejtësisë të Ferid Aganit.

Marrëveshja është nënshkruar në selinë e PDK-së në kuadër të përpjekjeve të partive të mëdha për të afruar rreth vetes sa më shumë parti të vogla mbështetëse në listën e kandidatëve.

NDËRLIDHUR

Ferid Agani ka qenë ministër i Mjedisit për një kohë në qeverinë e Isa Mustafës por është larguar nga posti për shkak se Prokuroria ndaj tij ka ngritur aktakuzë në skandalin enjohur si ‘Stentat’.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion, Agani lavdëroi bashkëpunimin e deritanishëm të partisë së tij me PDK-në, duke qenë se këto dy parti kanë pasur koalicion parazgjedhor edhe për zgjedhjet e vitit 2014.

“Urime për fillimin e këtij koalicioni parazgjedhor. Është vazhdimësi e këtij bashkëpunimi të suksesshëm politik. Është vazhdim në dhënien e kontributit për vendin”, tha Agani.

Agani ka thënë se do të punojnë me PDK-në për themelimin e sigurimeve shëndetësore.

“Jemi dakorduar që Partia e Drejtësisë do të japë një kontribut në reformimin e sistemit shëndetësor të vendit, pra të vazhdojmë punën e ndalur para tri viteve”, tha Agani.

I pari i PDK-së, Kadri Veseli tha se koalicioni me Partinë e Drejtësisë nuk do të jetë i vetmi.

“Ky është vetëm fillimi i disa bashkëpunimeve që ne si partia më e madhe në vend do të kemi në vazhdimësi në zgjedhjet e ardhshme të 11 qershorit”, tha Veseli.

“Çdo ditë e më shumë qytetarët e Kosovës po i bashkohen fillimit të ri. Jam shumë i nderuar për përkrahjen e madhe. Të njëjtën kohë jam i nderuar për këtë bashkëngjitje të mijëra njerëzve të fillimit të ri. Ky është vetëm fillimi i fillimit të ri sepse do të kemi koalicione tjera të cilat do ti nënshkruajmë këtu para jush”, tha Veseli.

16 Maj 2017 - 15:55

Adelina Ahmeti 16/05/2017 - 15:55
NDËRVEPRIMI0

Koalicioni i PDK-së me Partinë e Njeriut me Aktakuzë për Aferën ‘Stentat’

by Adelina Ahmeti
NA NDIQNI