Nga zgjedhjet e mëhershme | Foto: KALLXO.com

Koalicionet e 'Moralshme'

Lidhja Demokratike e Kosovës ka lidhur marrëveshje të koalicionit parazgjedhor me Aleancën Kosova e Re dhe partinë e sapoformuar, Alternativa.

Partia Demokratike e Kosovës fillimisht lidhi disa marrëveshje të koalicionit me parti të vogla, ndërsa në mesnatë arriti të bashkohet me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën.

Belul Beqaj, njohës i mirë i politikës, për KALLXO.com tha se koalicioni i cili u bë gjatë mbrëmjes së kaluar tregon se rruga deri te pushteti kalon përmes shumë mashtrimeve.

“Kemi  një situatë kur pushteti merret me mashtrime, kemi situatë kur pushteti mbahet me mashtrime dhe kemi një situatë kur pushteti përfundon duke mashtruar njëri tjetrin”, tha Beqaj.

Ai shtoi se kjo gjendje shkakton rrezik për krizë politike.

“Kjo është gjendja kur mund të themi lirisht rrezikohet në thelb morali politik dhe kur rrezikohet morali politik, atëherë kriza e moralit politik realisht shkakton një gjendje të këtillë. Morali apo kriza në moral faktikisht shkakton krizën politike”, shtoi ai.

Sipas tij këto koalicione të natës mund të prodhojnë zgjedhje të parakohshme.

“Integriteti duhet të jetë i realizueshëm aq sa ka realizime në interesa të ndërsjella, momenti që privohet interesi  i vlerës tonë atëherë do të kemi epilogun që patëm me zgjedhje të parakohshme”, tha Beqaj.

Besa Shahini, analiste dhe hulumtuese e çështjeve të integrimit europian dhe politikave arsimore, ka një shpjegim tjetër për koalicionin AAK-PDK-NISMA që u formësua në mesnatë.

“Nuk kam çka të diskutoj moralshmërinë e këtij koalicioni, këto parti janë grupe burrash të pamoralshëm të cilët synojnë të mbesin në pushtet sa më gjatë dhe me çdo kusht”, tha Shahini.

Ajo shtoi se ka qenë e pritshme që Haradinaj do të bënte koncesione për të arritur synimin që të bëhet kryeministër.

“Kjo është qartësuar qysh në vitin 2012 kur Haradinaj bëri të qartë se do të bashkë-qeveriste me Thaçin, ndërsa Thaçi e refuzoi. Pastaj edhe në 2014 kur Haradinaj prapë bëri të qartë se të bashkëqeveriste me Thaçin dhe ai i fundit prapë e refuzoi. Ka qenë e qartë që Haradinaj do të linte anash çfarëdo inatesh që mund t’i ketë shkaktuar ky refuzim i vazhdueshem nga Thaçi, në momentin që t’i ofrohet pozita e kryeministrit”, tha Shahini.

E bashkëpunimi në mes të PDK-së dhe NISMA-s sipas saj ka filluar me koordinimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Mustafa.

Publicisti Astrit Gashi tha për KALLXO.com se formimet e koalicioneve janë përshpejtuar, fakti se koalicionet e lidhura gjatë ditës së djeshme janë paraparë të ndërtohen pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

“PDK dhe Veseli me koalicionin LDK-AKR-AA  janë vendosur para aktit të kryer – ose të ndërtojnë këtë koalicion që e bënë, ose të rrezikojnë që të dalin të dytët e të mbesin në opozitë”, tha Gashi.

Para koalicionit të ndërtuar në mesnatë AAK-PDK-NISMA, PDK-ja në rend të parë për kandidat për kryeministër do ta vinte të parin e saj, Kadri Veselin.

Beqaj thotë se Veseli i ka demantuar të gjithë opinionistët se prishjen e koalicionit e ka bërë për t’u bërë vetë kryeministër i Kosovës.

“Me këtë kuptim mendoj se është veprim shumë racional i tij për faktin se e ka demantuar një opinion që është krijuar në llogari të personalitetit të tij dhe në këtë kuptim është një çështje që ka bazë racionale duke e analizuar mirë spektrin politik  në disponimin aktual të gjitha këto që ka bo në periudhën e VLAN-it të koalicionit dhe arsyes pse kemi ardhur deri te zgjedhjet e parakohshme”, tha Beqaj.

E sipas Besa Shahinit, disa sondazhe tregojnë se  populli i Kosovës nuk e njeh mjaftueshëm Kadri Veselin, pra PDK rrezikonte të humbte vota.

“Për mua ka qenë e çuditshme, ngaqë unë kam menduar se Veselin e njohin të gjithë si ish-udheheqësi i SHIK-ut”, tha Shahini.