Shefi i Zyrës për Kosovën i Qeverisë serbe, Marko Gjuriq, në Gazimestan - Foto: KALLXO.com

KMDLNj: Gjuriq Është Dashur të Arrestohej dhe të Dënohej

Po ashtu, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut konsideron se drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq, është dashur të arrestohej dhe të dënohej sipas ligjit për nxitje të urrejtjes në baza etnike dhe përbuzje të shtetit të Kosovës, e jo të mbrohet nga Policia e Kosovës.

KMDLNj thekson se serbët, të cilët kishin ardhur në shënimin e Vidovdanit, kanë shfryrë urrejtje ndaj shqiptarëve dhe Kosovës duke përdorur një ikonografi shoviniste serbe dhe ruse dhe një fjalor shovinist, sikur edhe duke e mohuar deri në poshtërim shtetin e Kosovës, institucionet e saja në territorin e të cilit ishte vendi ku mbahej kjo orgji shoviniste e Serbisë.

“Si mund të tolerohet Marko Gjuriq, drejtor i të ashtuquajturës Zyra për Kosovë në Qeverinë Serbe që predikon se Kosova duhet të kthehet me forcë në Serbi, që shpërndanë urrejtje dhe mosdurim shovinist, që deklaron se pas Vidovdanit qeveria serbe do t’i tregojë Listës Serbe se si të veprojë lidhur me situatën politike në Kosovë e që paraqet ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të një shteti normal”, thuhet në komunikatë.

http://kallxo.com/mpj-gjuriqi-ne-kosove-leje-te-institucioneve-kosovare/

Po në të njëjtën kohë, vazhdon komunikata, një qytetar i Deçanit akuzohet dhe është duke u gjykuar për nxitje të urrejtjes nacionale ndonëse ka plotësisht të drejtë në qëndrimet dhe kërkesat që i bënë?!

“Ne i gjykojmë zbatimin e standardeve të dyfishta të ndërkombëtarëve ndërsa heshtim kur institucionet tona i zbatojnë standardet e dyfishta sikur që ishte rasti i shfrenimit shovinist të Serbisë në Gazimestan”, thuhet në reagim.

Për më tepër, KMDLNj konsideron se përsëritja e shprehjes së urrejtjes nga ana e serbëve në çdo përvjetor të Betejës së Kosovës është një legalizim i nxitjes së urrejtjes në baza etnike dhe fetare sikur edhe një pranim i pafuqisë së shtetit të Kosovës për të penguar këto përshkallëzime shoviniste.

“Pengimi i kësaj dukurie është detyrim ligjor dhe është i palejueshëm zbatimi i standardeve të dyfishta në zbatim të ligjit siç e bëri Policia e Kosovës, sigurisht në zbatim të një vendimi politik, në Gazimestan”, thuhet më tej në reagim.

KMDLNj përkujton se Kisha Ortodokse Serbe ishte frymëzues dhe bekues i veprimeve kriminale të paramilitarëve, policëve dhe ushtarëve serbë në Kosovë me ç ’rast u vranë rreth 12,000 qytetarë të Kosovës, 1 milion u shpërngulën në mënyrë të dhunshme, u shkatërruan 120,000 shtëpi, banesa, objekte fetare, kulturore si dhe u dhunuan mijëra e mijëra femra shqiptare.

Njëherësh, KMDLNj përkujton se si pasojë e veprimit të Kishës Ortodokse Serbe dhe politikës shoviniste serbe janë mbi 1650 qytetarë të Kosovës që konsiderohen si të zhdukur.

“Zbatimi i standardeve të dyfishta është theksuar edhe në trajtimin e të dyshuarve dhe të dënuarve për krime lufte; Oliver Ivanoviq mbahet në arrest shtëpiak i dyshuar dhe dënuar për krime lufte shumë të rënda kurse Sami Lushtaku, Sylejman Selimi dhe të tjerët mbahen në burg që është rast flagrant i keqpërdorimit të ligjit duke bërë dallime në baza etnike dhe nën presion politik”, thekson KMDLNj.

Për KMDLNj-në është i papranueshëm fakti që institucionet e Kosovës sikur edhe partitë politike në Kosovë nuk reaguan kundër kësaj orgjie shoviniste në Gazimestan që nënkupton se iu mungon një guxim njerëzor dhe politik të kërkojnë zbatimin e ligjit njësoj për të gjithë qytetarët e Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, racore etj.

Për dështimet në Gazimestan, KMDLNj kërkon përgjegjësi për ata që është dashur ta zbatojnë ligjin e në rastin konkret nuk e kanë bërë, pasi janë bërë aksionarë të një shfrenimi nacionalist dhe shovinist të cilin është dashur ta pengojnë me të gjitha mjetet e lejuara me ligj.

“Duke toleruar këto veprime shoviniste, po e zbehin rolin e shtetit të Kosovës dhe besimin në institucionet e këtij shtetit, po e legalizojmë dhe fuqizojmë praninë e Serbisë në Kosovë, po trimërojnë forcat ekstremiste politike serbe në Kosovë dhe po i margjinalizojnë deri në përbuzje qytetarët lojal serbë në Kosovë që e pranojnë shtetin e Kosovës, që duan të integrohen në shoqëri dhe nuk i pranojnë kërcënimet dhe shantazhet e Serbisë”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së. /21Media