Kllokoti i Vogël me Probleme të Mëdha

Në debatin për Kllokotin në kuadër të emisionit “Jeta në Komunë”, kryetari i komunës së Kllokotit Sreçko Spasiq ka folur për punët e bëra dhe të pa bëra gjatë dy viteve të para të mandatit të tij.

Komuna e Kllokotit ka 15 anëtarë të asamblesë komunale që vijnë nga Iniciativa Qytetare Serbe, Partia e Pavarur Liberale, Partia Demokratike Progresive, “Bashkë për të Ardhmen”, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Për ndryshim nga emisionet e kaluara të cilat janë mbajtur në ndërtesën e kuvendit komunal, debati me Kllokotin është zhvilluar në Qendër të Kulturës. Sipas kryetarit, kjo ka ndodhur për arsye objekti i kuvendit nuk ofron kushte për të xhiruar një emision të tillë. Mirëpo anëtareët e kuvendit ankohen se as në këtë sallë ku është mbajtur emisioni nuk kanë qasje.

Momçilo Stojkoviq, anëtar i kuvendit nga radhët e SLS-së thotë që është e vërtetë që objekti komunal nuk ka kushte mirëpo as në Qendrën e Kulturës nuk u lejohet të kenë qasje.

“As këtu nuk kemi qasje, nuk na lejohet sepse është në pronësi të tij. Ne dëshiruam ta mbajmë një tribunë këtu, por nuk na lejuan, tash ne nuk e kishim ndërmend të rriheshim për këtë punë”, thotë ai.

Ndërkaq Spasiq fajin e hedh tek qeverisja e kaluar, mirëpo nuk tregon nëse asamblistëve ju lejohet që të kenë qasje në atë sallë.

“Kjo është një rrenë e kulluar nga ana e Momçilo Stojkoviqit, ai njihet për to. Është pjesë e qeverisjes së kaluar, ka qenë drejtor i arsimit në qeverisjen e kaluar, është pikërisht personi i cili e ka shpënë komunën në ato borxhe, me fatura fiktive”, thotë Spasiq.

Ai thotë që Stojkoviq është një nga bajraktarët e pushtetit të kaluar, i cili e ka rrënuar komunën.

Çështja e dytë e cila u diskutua ishte ndërtimi i shtëpisë së shëndetit. Edhe pse kryetari i komunës së Kllokotit ndërtimin e shtëpisë së shëndetit e radhitë si një nga sukseset e tij, asamblistët thonë që ajo shtëpi nuk ka pasur nevojë të ndërtohet, sepse shtëpia e vjetër e shëndetit kishte kushte të mira dhe i plotësonte nevojat e qytetarëve.

Kryetari tha qe objekti i vjetër i shtëpisë së shëndetit ka qenë një objekt i marrë me qira ku pacientet kanë marrë vetëm trajtim ambulantiv.

“Në atë hapësirë ku ka qenë ambulancë dikur, tash është ndërtuar qendra e mjekësisë familjare, dhe hapësirat e shtëpisë së shëndetit janë duke u përfunduar dhe besoj që për disa ditë do të jetë e përfunduar”, tha ai.

Asamblisti nga Lista Serbe Srdjan Baloseviq thotë se shtëpia e shëndetit e cila është rrënuar nga kryetari ishte jashtëzakonisht cilësore.

“Nuk e di se me çfarë qëllimi kryetari e ka rrënuar, kur kishim një ambulancë jashtëzakonisht cilësore, të cilën e pati ndërtuar qeveria e Serbisë, nga buxheti i saj, e cila ishte jashtëzakonisht e pajisur dhe kishte të gjitha kushtet për punë”, u shpreh ai.

Spasiq thotë se nuk është rrënuar shtëpia e shëndetit sepse ajo ndërtesë ka qenë ambulancë.

“Ajo ndërtesë nuk ishte shtëpi e shëndetit por një  ambulancë e cila nuk kishte hapësirë të mjaftueshme”, përfundon ai.

Një çështje tjetër e cila u diskutua ishte një incident që kishte ndodhur para se të fillonte debati. Në këtë incident, kryetari akuzohet se e ka goditur asamblistin komunal Srdjan Baljosevic.

“Kryetari më goditi me grusht, e pyes kryetarin se kur do ta ndërpresë këtë sprovë force që shfaq ai, sepse ai njihet për këtë, ka qejf t’i godasë njerëz”, thotë ai.

Ai thotë që para një viti kryetari pati goditur edhe kryetarin aktual të “Organit të Përkohshëm” dhe një profesor.

E kryetari thotë se që nga koha e zgjedhjeve është parë qartë se kishte mos durim nga radhët e partive tjera.

“Gjatë kohës së zgjedhjeve mua më kanë rrahur anëtari i kuvendit Zarko Dejanoviq, vëllai i tij dhe grupi i tij, me organizim të Momçilo Stojkoviqit, ish-drejtorit të arsimit”, deklaron ai.

Ndërkaq sa i përket çështjes se ai ka goditur Srdjan Baloseviq,  Spasiq thotë qe pavarësisht faktit që e kishin provokuar ai nuk e ka goditur atë.

“Bënë provokime para se të vinit ju, shkaktuan situatë këtu dhe erdhi deri te rrethana të pakëndshme dhe tek mosmarrëveshjet. E sa për atë që thotë se e godita, kjo është rrenë e kulluar”, u shpreh ai.

Ndërkaq projektet e ardhshme të cilat kryetari ka premtuar për dy vitet e ardhshme të qeverisjes së tij janë, ndërtimi i stacionit të zjarrfikësve, vënia në funksion e një shkolle të sapo ndërtuar si dhe faza e dytë e ndërtimit të shtëpisë së kulturës ne Kllokot.