Pamje nga takimi i drejtuesve të Komunës së Klinës me zv.ministrin Rexhep Mazreku - Foto: Facebook

Klina Kërkon Mbështetje në Sektorin e Kulturës nga MKRS-ja

Komuna e Klinës ka kërkuar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit mbështetje për sektorin e kulturës.

Këtë kërkesë e ka bërë kryetari Zenun Elezaj bashkë me nënkryetarin Besim Hoti dhe drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport, Skender Merturi, gjatë takimit që sot e kishin me zëvendësministrin e Kulturës, Rexhep Mazreku.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga kjo Komunë, thuhet se po planifikohet ndërtimi i një fushe ndihmëse të futbollit, e cila përveç KF “Dukagjini” do të ishte në shërbim edhe të grupmoshave tjera të futbollit.

“Në takim është biseduar për ndërtimin e Qendrës Rinore, Zonën arkeologjike në Dresnik, mbështetjen e klubeve, ndërtimin e fushave sportive në shkolla dhe Festivalin ‘I Këndojmë Lirisë’, që mbahet çdo vit”, thuhet në njoftim.

Elezaj gjithashtu ka kërkuar që të shikohet mundësia që Zona arkeologjike në Dresnik të Klinës, të shpallet zonë e interesit.

Komuna e Klinës ka thënë se ka mundësi të limituara buxhetore duke kërkuar nga MKRS-ja që të ndihmojë në zbulimet arkeologjike në Dresnik.

“Kemi sfida, por me punë, angazhim dhe ndershmëri do të punojmë për krijimin e kushteve më të mira për rininë tonë”, ka thënë kryetari Elezaj.

E zëvendësministri Mazreku njoftoi se sivjet janë planifikuar të ndërtohen 12 fusha ndihmëse për ekipet në Superligën e Kosovës, ndërsa vitin e ardhshëm për ekipet që bëjnë gara në Ligën e Parë të Kosovës.