Ilustrimi: Kallxo.com

Kimia e Pabesueshme e Koalicioneve Nëpër Komuna

Duke i mos përfillur në tërësi marrëdhëniet historike dhe dallimet me njëra –tjetrën, partitë politike kanë realizuar koalicione parazgjedhore me shpresë të marrjes së drejtimit të sa më shumë komunave ku po garojnë në raundin  e dytë të zgjedhjeve lokale.

Akuzat e ndërsjella të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje për keqeverisje në kryeqytet, nuk ndaluan këto dy parti ‘të përqafohen’ në Vushtrri, ndërkaq Mimoza Kusari-Lila nuk e ka problem të qeverisë me partinë që e kishte braktisur.

Këto janë vetëm disa nga paradokset e bashkëpunimeve ndërpartiake për zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Vijat e ashtuquajtura të kuqe nuk po përfillen shumë nga partitë në garën për udhëheqjen e komunave që është ngushtuar me 22 tetor dhe do të përfundojë më 19 nëntor.

Javët e para pas rezultateve të zgjedhjeve lokale më 22 tetor mjaftuan për zbutjen dhe ndërrimin e qëndrimeve të disa kandidatëve për Kryetarë të Komunave ndaj rivalëve politikë apo partive.

Nga zgjedhjet e 22 tetorit, 19 nga 38 komuna shkojnë në raund të dytë të zgjedhjeve.

Kanë mbetur edhe disa ditë nga mbajtja e këtyre zgjedhjeve dhe jo të gjithë kandidatët kanë realizuar koalicione zyrtare parazgjedhore.

Në pesë nga 18 komuna shqiptare në balotazh, kandidatët kanë vendosur të garojnë pa koalicione .

Prishtinë: VV vazhdon me AKR, i largohet AAK

Shpend Ahmeti dhe Arban Abrashi janë dy kandidatë që po garojnë për të marrë drejtimin e Komunës së Prishtinës.

Kryeqyteti i Kosovës tradicionalisht është udhëhequr nga LDK, dhe në dy mandate nga lideri i saj, Isa Mustafa.

Ky rezultat u rrëzua vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht Shpend Ahmeti në vitin 2013.

LDK në këto zgjedhje provoi një kandidaturë të re me ish-ministrin Arban Abrashi.

Në debatet parazgjedhore të raundit të parë dhe të dytë, kandidatët por edhe partitë janë përballur fyt më fyt me akuza të ‘shkatërrimit’ të kryeqytetit.

Deri më tani, Ahmeti ka marrë mbështetjen në koalicion zyrtar nga Aleanca Kosova e Re, që në raundin e parë kishte kandiduar me Selim Pacollin.

Në anën tjetër, Arban Abrashi ka zyrtarizuar koalicion parazgjedhor meAAK-në ndërsa PDK nuk ka marrë krah zyrtarisht sado që zyrtarë të saj janë shpreshur kundër një mandati të ri të Shpend Ahmetit.

Gjakovë: Alternativa me ‘Armatë’, kundër Gjinit

Komuna e Gjakovës në këto zgjedhje lokale gjithashtu ka vendosur ti vë kokë më kokë dy qeverisje të kaluara.

Mimoza Kusari-Lila udhëhoqi me këtë komunë si pjesë e Aleancës Kosova e Re në katër vitet e kaluara, ndërkaq këtë vit ajo po garon si udhëheqëse dhe themeluese e partisë Alternativa.

Në anën tjetër, Ardian Gjini është kandidat i sivjetshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e cila kishte udhëhequr më parë Gjakovën me Pal Lekajn.

Gjini deri më tani, ka bërë koalicion zyrtar me Partinë Shqiptare Demo Kristiane për garën e 19 nëntorit.

Në anën tjetër, Kusari-Lila ka mbledhur në mbështetje VV-në , LDK-në si dhe ish-partinë e saj AKR-në.

Rreth kësaj të fundit, Kusari-Lila u shpreh entuziaste dhe krenare duke konsideruar se AKR do ti jap fuqi në qeverisje.

“Nëse vi në pushtet në nivelin lokal tash besoj se jam më e fortë se z. Gjini  sepse kemi koalicion me AKR-në që i ka 4 ministri e jo dy sa i ka Aleanca (AAK)”, tha Kusari-Lila”

Mimoza Kusari- Lila ka qenë nënkryetare e AKR-së deri pak para zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit 2017.

Në rrethin e parë të zgjedhjeve, të mbajtur më 22 tetor, kandidati i AAK-së, Ardian Gjini ka fituar 39.9 për qind të votave, e Mimoza Kusari-Lila e Alternativës 32.1 për qind.

Ferizaj: LDK-AKR kundër PDK-së

Muharrem Svarqa nga LDK dhe Agim Aliu nga PDK po garojnë për drejtimin e Komunës së Ferizajit.

AKR e Ferizajit ka dalë në mbështetje të LDK-së në këtë komunë.

Kjo shënon një ‘ndërrim taboresh’, për AKR-në e cila në Prishtinë i është dalë në krahun e kundër LDK-së.

Në anën tjetër, Agim Aliu apo PDK e Ferizajit ende nuk ka dalë me ndonjë koalicion zyrtar për këtë komunë.

Aliu i PDK-së ka fituar në rrethin e parë 39,16% për qind të votave, ndërsa Svarqa i i LDK-së 31,34 për qind.

Gjilan: VV me mbështetje, LDK garon vetëm

Lutfi Haziri nga LDK dhe Sami Kurteshi nga VV po garojnë në balotazh për të marrë mandatin e Kryetarit të Gjilanit.

LDK e Gjilanit ndryshe nga komunat e tjera ka vendosur të garojë vetëm.

Të paktën deri më sot, Haziri nuk ka publikuar koalicion zyrtar me asnjërën prej partive.

Në anën tjetër, VV në Gjilan, përkatësisht Sami Kurteshi është mbështetur publikisht nga Partia e Drejtësisë në këtë komunë.

Haziri i LDK-së ka fituar në rrethin e parë 43,51 për qind të votave, ndërsa Kurteshi i VV-së 27.78 për qind.

Kamenicë: LDK me AKR sfidon VV-në me AAK

Kandidatët për Komunën e Kamenicës kanë balancuar koalicionet parazgjedhore për garën e ngushtë të 19 nëntorit.

Shaip Surdulli nga LDK ka marrë mbështetjen e AKR-së për këtë komunë.

Në anën tjetër, kandidati i VV, Qëndron Kastrati ka marrëveshje koalicioni me AAK-në për garën e balotazhit më 19 nëntor.

Rezultatet zyrtare të KQZ-së tregojnë se Qëndron Kastrati nga LVV ka  33,69 %  të votave dhe Shaip Surdulli nga LDK ka 28,79 % të votave.

Klinë: Koalicone shumëfishe nga AAK dhe PDK

Kandidatët që synojnë të bëhen Kryetar i Komunës së Klinës janë mobilizuar për garën e balotazhit më 19 nëntor.

AAK-së në Klinë si duket se i ktheu favorin e Kamenicës, VV-ja në koalicion parazgjedhor, ndërkaq në këtë përbërje futen edhe LDK dhe Nisma.

Në anën tjetër, PDK me kandidatin Sokol Bashota hyri në koalicion me AKR-në dhe PSHSDK

Rezultatet Zyrtare të raundit të parë tregojnë se Sokol Bashota – PDK  ka 37.76 përqind  të votave dhe  Zenun Elezaj – AAK  me 25.45% përqind

Vushtrri: LDK me AKR dhe VV kundër PDK-së me AAK

Lidhja Demokratike e Kosovës në Komunën e Vushtrrisë ka bërë koalicion kontradiktor në krahasim me koalicionin në kryqytet.

Kandidati i LDK-së, Xhafer Tahiri ka arritur të marrë mbështetjen e VV-së në Vushtrri megjithëse këto parti janë në rivalitet të ashpër në Prishtinë.

Tahiri në garën e ngushtë mori në koalicon edhe AKR-në.

Në anën tjetër, kandidati i PDK-së, Ferit Idrizi do të garojë më 19 nëntor me mbështetjen e AAK-s në këtë komunë si dhe disa prej partive të vogla siç janë PD, LB dhe KDPT.

Ndryshe në raundin e parë të zgjedhjeve, Ferit Idrizi nga PDK doli i pari me 10,184 vota apo 33.29 përqind, ndërsa Xhafer Tahiri nga LDK i dyti me 7,842 vota apo 25.64 përqind

Istog: AAK me koalicion kundër LDK-së së vetme

Koalicionet parazgjedhore të partive në garë për Istogun nuk janë të balancuara.

Gani Dreshaj nga AAK ka bërë  koalicion me Iniciativen e Pavarur të Istogut,

Kështu, Dreshaj do të garojë kundër Haki Rugovës i cili deri më tani nuk ka lidhur ndonjë koalicion zyrtar.

Rugova i LDK-së ka fituar në rrethin e parë 45,36% për qind të votave, ndërsa Dreshaj i AAK-së  35.63 për qind.

Shtime: Kandidati i Pavarur me ‘shumë parti’, në garë me PDK-në

Fatmir Rashiti, që kandidon si i pavarur për Kryetar të Komunës së Shtimes është deklaruar se ka përkrahjen e shumicës së partive në këtë qytet.

Megjithatë , ai deri më tani ka bërë marrëveshje koalicioni zyrtare me LDK-në dhe VV-në në Shtime.

Në anën tjetër, kundërkandidati i tij nga PDK, Naim Ismajli nuk ka publikuar ndonjë marrëveshje për koalicion parazgjedhor për balotazhin e 19 nëntorit.

Në raundin e parë të zgjedhjeve, Naim Ismaili doli i pari me 4,983 vota apo 38.61 përqind, ndërsa Fatmir Rashiti i dyti me 3,474 vota apo 26.92 përqind.

Obiliq: Nuk ka koalicione

Një ndër komunat që kanë kaluar në raundin e dytë të zgjedhjeve dhe ende nuk kanë koalicione zyrtare është Obiliqi.

Xhafer Gashi  nga AAK dhe Mehmet Krasniqi nga LDK nuk kanë zyrtarizuar ndonjë koalicion parazgjedhor për 19 nëntorin.

Gashi është kryetar aktual i kësaj komune, ndërkaq Krasniqi kishte mbajtur mandatin e kryetarit në vitin 2009 deri në 2013.

Rahovec: Të dy kandidatët garojnë vetëm

Rahoveci, ngjashëm me Obiliqin nuk ka prodhuar koalicione ndërpartiake për raundin e dytë të zgjedhjeve më 19 nëntor.

Smajl Latifi nga AAK dhe  Idriz Vehapi nga LDK që po synojnë drejtimin e kësaj komune deri më tani nuk kanë lajmëruar për ndonjë koalicion parazgjedhor.

Në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale, i mbajtur më 22 tetor, kandidati i AAK-së, Smajl Latifi, ka fituar 33,5 për qind të votave dhe Idriz Vehapi i PDK-së 29,5 për qind.

Malishevë: PDK me AKR kundër Nismës

Për të parin e Komunës së Malishevës po garon dy kandidatë nga parti që më parë kishin qenë një.

Mursel Gashi nga PDK po garon në balotazh kundër Ragip Begajt nga Nisma, parti kjo e formuar rishtaz pas ndarjes nga PDK.

Gashi për këto zgjedhje është përforcuar me mbështetje nga AKR, ndërkaq Begaj nuk ka bërë koalicion parazgjedhor deri më tani.

Begaj i Nismës ka fituar në rrethin e parë 40,74 për qind të votave, ndërsa Gashi i PDK-së 27,64 për qind.

Prizren: Tre me Tre garojnë VV me PDK

Oferta për qytetarët e Prizrenit në këto zgjedhje lokale përbën dy parti të vetëshpallura diametralisht të kundërta.

VV në balotazhin e 19 nëntorit garon me Mytaher Haskukën, kundër Shaqir Totajt nga PDK.

Në garën ‘fyt më fyt’, Haskuka mori si aleatë partitë e reja, Nisma dhe Alternativa.

Ndërkaq në këtë garë, Totaj mori mbështetjen e AAK-së dhe KDTP-së.

Në votimet e 22 tetorit, kandidati i PDK-së ka fituar 29.75 për qind të votave, kurse ai i Vetëvendosjes 22.41 për qind.

Mitrovicë: AKR me ‘shumë shokë’, kundër PDK dhe AAK-së

Garë e nxehtë për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale po zhvillohet edhe në Mitrovicë.

Agim Bahtiri, kandidat i AKR-së ka mbledhur katër parti për ta mbështetur në garën  e ngushtë të balotazhit.

Bahtirit i janë bashkuar me VV, Nisma, Alternativa dhe Partia e Drejtësisë.

Në anën tjetër, Valdete Idrizi, kandidate e PDK-së ka marrë mbështetjen e AAK-së.

Ndryshe nga rezultatet e raundit të parë Valdete Idrizi mori  29, 45 përqind të votave, ndërkaq Agim Bahtiri nga AKR mori 27,11 përqind të votave.

Kaçanik: Garë pa Koalicione

Kandidatët për Komunën e Kaçanikut po garojnë të vetëm kundër njëri-tjetrit më 19 nëntor.

Besim Ilazi PDK dhe   Basri Kodra nga VV deri më tani nuk kanë zyrtarizuar ndonjë koalicion parazgjedhor me asnjë prej partive në Kaçanik.

Në rundin e parë të zgjedhjeve, kandidati i PDK-së, Besim Ilazi doli i pari me 40,37% ndërsa kandidati i VV-së Basri Kodra i dyti me 21,09%.

Dragash: LDK dhe Lidhja për Gorën, Kundër PDK-së

Komuna e Dragashit në zgjedhjet e sivjetshme lokale ndahet në ofertat e PDK-së dhe LDK-së.

Për tu përballur në garën e ngushtë, kandidati i LDK-së, Selim Kryeziu ka marrë përkrahjen edhe të një partie nga rradhët e komunitetit goran, Lidhja për Gorën.

Në anën tjetër, Shaban Shabani, kandidat i PDK-së për Dragashin ende nuk ka deklaruar lidhur me ndonjë koalicon të mundshëm parazgjedhor.

Kryeziu nga LDK në rrethin e parë mori 35.52 për qind të votave, ndërsa kandidati i PDK-së, Shaban Shabani mori 34.22 për qind.

Suharekë:  AAK kundër LDK

Këto të dyja  në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, garojnë si të vetme.

Bali Muharremaj nga AAK dhe Salih Asllanaj nga LDK si pretendentë për Kryetar të Suharekës, deri më sot nuk kanë bërë ndonjë koalicion zyrtar për udhëheqje pas 19 nëntorit.

Në zgjedhjet e 22 tetorit, kandidati i AAK-së, Bali Muharremaj dhe ai i LDK-së, Sali Asllanaj, morën më së shumti vota nga kandidatët që ishin në garë për të parin e Suharekës.

Muharremaj mori 39.92 për qind të votave, ndërsa kryetari aktual Asllanaj 34.01 për qind.

Podujevë: LDK dhe LVV garojnë të vetme

Dy tabore të fuqishme në garë për Komunën e Podujevës nuk kanë marrë mbështjetje nga partitë e tjera të këtij qyteti.

Njësoj si në Prishtinë, në Podujevë gara zhvillohet në mes të LDK-së dhe VV-së.

Agim Veliu nga LDK dhe Ajet Potera hala nga LVV do të futen në garën e ngushtë të 19 nëntorit pa ndonjë koalicion zyrtar parazedhor.

Në zgjedhjet e 22 tetorit, Agim Veliu mori 48,15 përqind të votave ndërsa Ajet Potera nga VV mori 29,77 përqind.

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar rezultatet e partive nëpër komuna në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, të mbajtura më 22 tetor.

Rezonanca e Rezultateve Nëpër Komuna