Gjykimi i Limajt dhe të tjerëve | Foto: KALLXO.com

Khan: Limaj të Mos Dënohet- Të Duartrokitet

Avokatit të Fatmir Limajt Karim Khan iu deshën tri orë për ta thënë fjalën përfundimtare në të cilën pretendoi se i mbrojturi i tij është i pafajshëm nga akuzat për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre.

Khan tha se gjatë gjykimit nuk është vërtetuar se Limaj ka marrë para.

“Pa para, pa ryshfet, as 80 centë e lëre më 80 milionë euro nuk janë vërtetuar se janë marrë nga Fatmir Limaj, ose nga ndonjëri nga të akuzuarit e tjerë”, tha Khan.

Fatmir Limaj akuzohet në kohën kur ishte ministër i Transportit dhe Postë-Telekomit, por Khan e vlerësoi punën e Limajt në fjalën përfundimare.

“Është shumë e rëndësishme se Fatmir Limaj si zyrtar i zgjedhur, si ministër i asaj ministrie (MTPT), ka ndërtuar më shumë se 12 mijë kilometra rrugë në këtë vend, ndërsa gjatë tërë viteve paraprake, dekada para saj, provat tregojnë se kanë qenë vetëm 1200 km rrugë të ndërtuara”, tha Limaj.

Khan propozoi që Limaj të mos dënohet, por të duartrokitet.

Në vend se të kërkohet të dënohet Fatmir Limaj, parashtresa ime është se ai duhet të duartrokitet”, shtoi Khan.

Avokati i Limajt kërkoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga të gjitha akuzat.

Dje fjalën përfundimtare në Rastin MTPT e dha prokurori Charles Hardaway që e quajti kancer korrupsionin në Kosovë.

http://kallxo.com/prokurori-rastit-limaj-korrupsioni-ne-kosove-eshte-kancer/

Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar.

Për të njëjtat vepra ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Gjykimi lidhet me disa rrugë të asfaltuara në Komunën e Gjilanit.

Limaj këtë aktakuzë që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2 më 30 tetor të vitit 2015 e cilësoi të ngritur me urdhër politik.