Pamje nga një mbledhje e KGjK-së - Foto: KGjK

KGJK- ja Analizon Vendimin e Kushtetueses për Enver Pecin

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka mbajtur një mbledhje ku është diskutuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese për anulimin e zgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Supreme.

Gjykata Kushtetues e Kosovës shpalli të pavlefshëm vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës me të cilin Enver Peci ishte zgjedhur kryetar i Gjykatës Supreme.

Fillimisht, gazetarët nuk u lejuan të marrin pjesë në mbledhje.

Pas përfundimit të mbledhjes e cila zgjati gjithsej 45 minuta, kryesuesi i komisionit, gjyqtari Armend Berisha foli për KALLXO.com.

Berisha tha se në këtë mbledhje janë diskutuar modalitetet se si të implementohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe hapat që duhet ndërmarrë konform sugjerimeve të partnerëve ndërkombëtarë dhe anëtarëve të komisionit.

“Interpretimi i aktgjykimit do të zbatohet në përpikëri sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë obligative dhe të zbatueshme për çdo institucion në Republikën e Kosovës”, shtoi Berisha i cili theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar.

Ndërsa sa i përket zgjedhjes së kryetarit, ai tha se “Kryetari i Gjykatës Supreme ka me u zgjedhë shumë shpejt”.

Kushtetuesja me vendimin e saj e ka urdhëruar Këshillin Gjyqësor të mbajë një proces të ri të përzgjedhjes së kryetarit të Supremes.

Gjyqtari Berisha tha se janë 4 kandidatë të cilët i kanë plotësuar kushtet, andaj Gjykata Kushtetuese ka thënë se kandidatët në fjalë duhet të rikonsiderohen, por të ndryshohen disa aspekte të rregullores në procesin e votimit.

Duke pretenduar se në procesin e përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës ka pasur parregullsi, të cilat i kanë cenuar të drejtat e saj kushtetuese, gjyqtarja e Gjykatës Supreme të Kosovës, Valdete Daka iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar vendimin e KGjK-së për përzgjedhjen e Enver Pecit në pozitën e kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Daka pretendonte se ka pasur shkelje në procesin e përzgjedhjes për kryetar të Gjykatës Supreme që kanë cenuar të drejtën e saj për pjesëmarrje dhe për t’u zgjedhur.

KALLXO.com raportoi lidhur me ankesat e Dakës lidhur me këtë proces.

http://kallxo.com/valdete-daka-ankohet-ne-kushtetuese/

http://kallxo.com/kushtetuesja-anulon-zgjedhjen-e-enver-pecit/