KGJK Deklarohet për Arsyen e Dorëheqjes së Kabashiqit

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Nehat Idrizi për KALLXO.com konfirmoi se kryetari i Gjykatës Themelore të Mitrovicës Nikolla Kabashiq ka paralajmëruar dorëheqjen nga pozita e tij.

“Ne kemi pranuar një paralajmërim prej zotëri Kabashiqit për dorëheqjen e tij, por ende nuk kemi pranuar ndonjë njoftim zyrtar në lidhje me këtë dhe jemi në pritje”, tha Idrizi.

Ai konstatoi se do të trajtohet dorëheqja e Kabashiqit kur t’i shkojë KGJK-së.

“Posa ta pranojmë njoftimin nga zotëri Kabashiq, ne do ta trajtojmë atë dhe do të vendosim që eventualisht ta caktojmë ndonjë ushtrues detyre deri në shpalljen e konkursit”, tha Idrizi.

Idrizi tha se Kabashiq ka paralajmëruar dorëheqjebn për arsye personale, duke mos dhënë detaje tjera.

Edhe zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës Aishe Qorraj- Krasniqi për KALLXO.com ka komentuar raportimet për dorëheqjen e kryetarit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës Nikolla Kabashiq.

“Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë ka paralajmëruar dorëheqjen, por akoma nuk e kemi pranuar zyrtarisht”, tha zëdhënësja Qorraj-Krasniqi.

KALLXO.com raportoi sot për ofrimin e dorëheqjes nga Nikolla Kabashiq.

Kabashiq është emëruar kryetar i kësaj gjykate muaj më parë kur u bë integrimi i gjyqësorit të veriut brenda institucioneve të Kosovës në bazë të marrëveshjes për drejtësi të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

http://kallxo.com/jep-doreheqje-kryetari-gjykates-ne-mitrovice/