Ushtarë të KFOR-it – Foto: Facebook

KFOR: Situata në Kosovë Është e Qetë dhe Stabile

Pas raportimeve në medie se KFOR-i i ka dhënë disa informacione palës serbe lidhur me situatën e sigurisë në Kosovës, ka ardhur edhe reagimi zyrtar nga forca paqeruajtëse.

KFOR-i në reagimin e vet ka theksuar se situata në Kosovë është e qetë dhe e qëndrueshme.

“Duke iu referuar raporteve të medieve shqiptare dhe atyre serbe, lidhur me informacionet që supozohej se u ofruan nga KFOR-i tek autoritetet ushtarake serbe, KFOR-i vlerëson se situata në Kosovë është e qetë dhe e qëndrueshme. KFOR-i do vazhdojë të veprojë për një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes nëpër tërë Kosovën”, thuhet në reagim.

Po ashtu në reagim thuhet se KFOR-i është i gatshëm të marrë çdo masë të nevojshme për ta mbajtur Kosovën të sigurt, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, për të mirën e çdo qytetari që jeton në Kosovë.

“KFOR-i, në kuadër të mandatit të vet, mban lidhje të ngushta dhe shkëmbime të shpeshta të informatave me institucionet e Kosovës dhe Serbisë, vendet fqinje dhe gjithashtu Organizatat Ndërkombëtare. Prandaj, në prani të çdo lloj paralajmërimi që mund të ndikojë në situatën e sigurisë, KFOR-i njofton se është i gatshëm të marrë çdo masë të nevojshme për ta mbajtur Kosovën të sigurt, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, për të mirën e çdo qytetari që jeton në Kosovë”, thuhet në reagimin e KFOR-it./21Media