Ilustrim: KFOR

KFOR me Operacionin 'Shpata e Argjendë', Bashkon Forcat e Sigurisë për Reagim në Emergjenca

Aktiviteti i quajtur ‘Shpata e Argjende 2018’, do t’i bashkojë forcat e sigurisë për t’u trajnuar për të reaguar ndaj rasteve emergjente.

Me anë të një njoftimi zyra për marrëdhënie me publikun e KFOR-it, ka thënë se ‘Shpata e Argjendë 2018” është një nga aktivitetet më të rëndësishme të trajnimit i cili do të zhvillohet dhe udhëhiqet nga KFOR-i.

Trajnimi do të mbahet nga data 16 deri më 27 prill në kampin Film City, kampin Pomozatin dhe Aeroportin Ushtarak të Sllatinë.

“Ky ushtrim bashkon, në një mënyrë të koordinuar dhe sinergjike, akterë të ndryshëm, Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Këshillin e Sigurisë së Kosovës (KSK), Policinë e Kosovës (PK), Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Agjencinë e Menaxhimit Emergjent të Kosovës (AME)”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Gjenerali Janos Csombok do të ketë nën drejtim këtë aktivitet që ka për qëllim  përmirësimin dhe mirëkuptimin reciprok lidhur me rolet, aftësitë dhe kapacitetet e forcave të sigurisë në reagim ndaj emergjencave.

“Qëllimi i përgjithshëm i ushtrimit ‘Shpata e Argjendtë 2018’ është të trajnojë komandantët dhe stafin e KFOR-it, EULEX-it dhe Organizatat e Sigurisë së Kosovës në trajtimin e operacioneve në rastet e lehtësimit emergjent ndaj fatkeqësive dhe skenaret e trazirave civile. Do të jetë një mundësi për të testuar konceptin e reaguesit të parë, të dytë dhe të tretë dhe për të krijuar një kuptim të përbashkët mbi taktikat, teknikat dhe procedurat në nivel njësie, me vëmendje të veçantë në trajnimin e Kontrollimit të Turmave dhe Trazirave dhe zjarrfikësve”, thuhet në fund të njoftimit të KFOR-it.