Këto do të Jenë Masat Emergjente për Ndotjen e Ajrit

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë bërë publike masat emergjente të cilat do të merren për gjendjen alarmante të ndotjes së ajrit.

Nga data 31 janar (nesër), do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në zonën qendër nga ora 06:00 deri në ora 22:00.

Komuna e Prishtinës sot ka marrë vendim që të ndalohet shitja e thëngjillit dhe përdorimi i tij nga bizneset.

Zonat e ndaluara të qarkullimit të automjeteve përfshijnë këto rrugë: Bulevardi “Bill Klinton”, nga udhëkryqi i rrugëve “Idriz Gjilani” dhe “Bekim Fehmiu” gjegjësisht nga shtatorja e “Bill Klinton”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga rrethrrotullimi me flamur, rruga “Agim Ramadani”, nga udhëkryqi i konvikteve, rruga “Edmond Hoxha”, te salla 1 tetori, rruga “Ilir Konushevci”, nga hyrja e drejtimit të Podujevës dhe hyrja nga rreth rrotullimi i lagjes “Arbëria” në rrugët “UCK” dhe “Fehmi Agani”.

Sipas masave të publikuara, të drejtë hyrje në zonën qendër kanë, autobusët, taksitë e licencuar, transporti i organizuar, automjetet e Policisë së Kosovës dhe FSK-së si dhe automjetet e emergjencës.

Për shkak të ndalimit të qarkullimit të veturave në qendër, Komuna e Prishtinës ka marrë një subvencion nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në lidhje me Trafikun Urban.