Eroll Belegu në një konferencë në Universitetin e Prishtinës || Foto: Facebook

Këshilltari i Kryeministrit me Orë Dore 20 Mijë euro

Kreu i Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe këshilltari politik i kryeministrit, Eroll Belegu ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit një orë dore me vlerë prej 20 mijë euro. Lloji i orës është Omega të cilën Belegu thotë se e ka blerë nga të ardhurat e biznesit.

Përveç orës, Belegu posedon edhe një pikturë e cila kap vlerën e 5 mijë eurove.

Belegu thotë se vozitë edhe një veturë të tipit Mercedes GL 550 me vlerë prej 40 mijë euro, ndërsa enterierin e ‘President Bar’ e ka vlerësuar me vlerë prej 20 mijë euro.

Belegu posedon edhe aksione në shoqëri komerciale me vlerë prej 32.5 milionë euro.

Edhe pse është milioner, Belegu ka deklaruar se nuk ka para të gatshme në institucionet bankare.

Ndërsa tek pasuria e paluajtshme ai ka deklaruar dy shtëpi në lagjen Marigona me vlerë prej 900 mijë euro.

Edhe pse është këshilltar politik i kryeministrit, Belegu nuk e ka deklaruar fare pagën e tij nga kjo pozitë. Përveç pagës së këshilltar, ai nuk e ka deklaruar as pagën e tij si kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës.