Rruga Deçan- Plavë. Foto: Kallxo.com

Këshilltari i Pal Lekajt kundër ndërprerjes së punimeve në rrugën Deçan-Plavë

Shefi i kabinetit të ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, Argjend Zejnaj, ka reaguar lidhur me thirrjet për ndaljen e punimeve në ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, duke aluduar në Manastirin e Deçanit, Zejnaj ka kërkuar që institucionet religjioze të merren me punën e vet. “Shteti duhet të merret me rregullimin e të gjithë segmenteve të jetës së njerëzve”, ka shtuar ai.

“Rrugët janë në Kosovë e po ndërtohen për qytetarët e këtij vendi. Ato s’iu takojnë individëve, prandaj për teke të tyre as nuk duhet ndërprerë punimet”, ka theksuar shefi i kabinetit të ministrit Pal Lekaj.

“Ligjet presupozohet që janë për të zhvilluar e mbrojtur jetën e njerëzve e jo për t’i përdorur ato për të kundërtën”, ka shtuar Zejnaj.

Për shkak të reagimeve të misioneve ndërkombëtare në Kosovë kundër punimeve në këtë rrugë, Zejnaj në postimin e tij në “Facebook” ka paralajmëruar në anglisht se megjithatë punimet do të vazhdojnë.

“We will continue…”, ka shkruar ai.

Ndryshe, punimet në rrugën Deçan-Plavë, janë ndërprerë dje pasdite  pas kërkesës së Manastirit të Deçanit dhe reagimeve të bashkësisë ndërkombëtare.

http://kallxo.com/nderpriten-punimet-ne-rrugen-decan-plave/

Në një postim në profilin e saj në “Twitter”, shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, bëri thirrje sot që të respektohet ligji për zonën e mbrojtur.