Këshilli i Skandaleve

 

Si rezultat i shkeljeve të kryera dy gjykatat më të rëndësishme të vendit Supremja dhe e Apelit kanë mbetur pa kryetar ndërsa nga KGjK deri më tani askush nuk ka dhënë përgjegjësi.

Këshilli pati edhe probleme të tjera, anëtarët votuan veten e tyre ndërsa procesi rekrutimit të gjykatësve të rinj është stërzgjatur.

Histori Shkeljesh

Në nëntor të 2014-tës KGjK  nxori  një rregullore me të cilën synonte të përmirësonte procedurat e zgjedhjes dhe emërimit të kryetarëve të gjykatave.

Me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës përcaktohet se KGjK ka rol fundamental në funksionimin e sistemit gjyqësor të Kosovës duke siguruar funksionimin e pavarur dhe të paanshëm të sistemit gjyqësor, duke emëruar, disiplinuar dhe shkarkuar gjyqtarët si dhe duke menaxhuar dhe mbikëqyrë gjykatat.

Por këto tetë muaj kanë qenë ndryshe.

KGjK me veprimet e saj ka shkaktuar reagimin e Ambasadave Amerikane dhe Britanike në Kosovë si mbështetësit më të gjatë të këtij institucioni.

Për më tepër KGjK me veprimet e tyre kanë shqetësuar edhe shoqërinë civile, duke përfshirë këtu edhe reagimet e BIRN si organizatë që përcjellë me vëmendje zhvillimet në fushën e drejtësisë në Kosovë.

Problemet serioze me procesin e fundit për rekrutimin e gjyqtarëve, vendimi për ulje të kritereve për gjyqtarë, vendimi për anulim të vendimit për ulje të kritereve, votimi i anëtarëve të KGjK-së për të avancuar vetën e tyre janë disa prej kryetemave që kanë buruar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Sikur të mos mjaftonin këto probleme, së fundmi, rregullorja e KGjK-së nr. 14/2016 si dhe zbatimi i kësaj rregulloreje nga anëtarët e KGjK-së e kanë lënë Gjykatën Supreme të Kosovës dhe Gjykatën e Apelit pa udhëheqës.

Një letër e dërguar në KGjK më 20 mars të këtij viti nga Ambasadat Amerikane dhe Britanike në Kosovë që shprehte shqetësimin e partnerëve më të fuqishëm të KGjK-se se procesi i zgjedhjes së kryetarëve të gjykatave mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës ishte një ogur i zi se KGjK kishte humbur rrugën.

Saktësisht 4 muaj më pas, Gjykata Kushtetuese e Kosovës me dy vendime të ndryshme por me të gjetura të njëjta ka konstatuar se Këshilli Gjyqësor i Kosovës bëri disa shkelje kushtetuese duke e rikthyer kështu në pikën fillestare procesin e zgjedhjes së kryetrarëve të gjykatave.

Këshili Gjyqësor i Kosovës përpos që janë arsyetuar se rregulloren e kanë nxjerrë nën monitorimin dhe mbështetjen e gjithë partnërve  kanë reaguar gjithashtu duke njoftuar se janë duke analizuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë konstatoj porbleme në procesin e  mosgjedhjes së Valdete Dakës në krye të Supremes e poashtu zgjedhjen e HAsan Shalës në krye të Apelit.

 

“ Gjykata konstaton me shumicë votash se ka pasur shkelje të neneve të Kushtetutës së Kosovës:  24 (1) — Barazia para ligjit, 31 (1) e drejta për gjykim të drejta dhe të paanshëm dhe 108 (1) dhe (4)  Këshilli Gjyqësor i Kosovës”, thuhet në vendimin e  Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Këtë konstatim,  Gjykata Kushtetuese e Kosovës e nxori pasi që gjyqtarja e Gjykatës Supreme të Kosovës, kandidate për kryetare të Supremes dhe gjyqtarja e Apelit, Tonka Berisha, u ankuan se proceset për përzgjedhjen e kryetarëve të gjykatave respektive u shoqëruan me shkelje kushtetuese.

Gjyqtarja e Supremes Valdete Daka e cila përkundër se nga poentomi i komisionit intervistues ishte e renditur para Enver Pecit,  nuk u zgjodh pasi që  anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës në votim të fshehtë i kishin dhënë 5 vota për, 1 kundër dhe 4 abstenime.

Pikërisht te votat e abstenimit Daka fokusoi pretendimin e saj duke argumentuar se ‘në asnjë rast abstenimi nuk mund të konsiderohet si votë negative apo kundër sepse atë efekt e ka vota kundër dhe se nuk mund të barazohet vota abstenim dhe kundër’.

Daka gjithashtu oara Gjykatës Kushtetuese parashtroi se dispozitat kushtetuese kërkojnë që emërimi i kandidatëve për kryetar nga KGjK të bëhet në bazë te meritave ndërsa vendimi i KGjK-së për Enver Pecin nuk përmban askund asnjë lloj arsyetimi.

Sipas rregullores së KGjK14/2016 pasi që komisioni dërgon tek anëtarët emrat e kandidatëve të renditur më së miri ata sipas një liste shteruese i nënshtrohen votimit. Së pari hyn në votim kandidati i renditur më së miri dhe nëse ai nuk merrë shumicën e thjeshtë të votave kalohet tek kandidati tjetër ndërsa nëse asnjë nga kandidatët nuk merrë votat e duhura atëherë përsëritet procesi nga fillimi.

Duke analizuar pretendimet e Dakës në njërën anë por edhe përgjigjet e KGjk-së, Gjykata Kushtetuese konsideron se votimi nënkupton zgjedhjen mes alternativave dhe abstenimi nënkupton mos pjesëmarrje në procesin e votimit.

Kushtetuesja përdorë  një gjuhë mjaft të ashpër ndaj votimit në KGjK duke e quajtur selektive dhe arbitrare.

“Me fjalë të tjera në vend se të abstenojnë nga pjesëmarrja në votim në tërësi, anëtarët që votojnë të KGjK-së zgjodhën  të marrin pjesë në votimin e një kandidati dhe të mos marrin pjesë në votimin e një kandidati tjetër, me sa duket në mënyrë arbitrare”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Sikur kjo të mos mjaftonte, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstaton se Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk i ka përmbushur detyrimet kushtetuese për të siguruar pavarësi dhe paanshmëri të sistemit gjyqësor.

Pretendimet pothuajse identike lidhur me procesin e votimit, Gjykata Kushtetuese ia njohur edhe gjyqtares Tonka Berisha e cila edhe pse kishte marrë pikët maksimale nga komisioni intervistues dhe ishte renditur e para,  nuk kishte arritur të fitoj besimin e anëtarëve të KGjK-së që kishin votuar për kryetar Hasan Shalën.

Pra, një rregullore e trumbetuar nga  KGjK si e nxjerrë në mbështetje me partnerët ndërkombëtarë Këshillit e cila do të rriste transparencën dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjes dhe emërimit të kryetarëve të gjykatave në Kosovë,  përpos që la pa kryetarë dy gjykatat më të larta në vend, përkeqësoi perceptimin edhe ashtu të keqësuar të publikut për punën e KGjK-së.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës lidhur me tërë këtë rrëmujë juridike që kanë shkaktuar, përpos që kanë thënë se janë duke e analizuar vendimin e Kushtetueses, në asnjë moment deri më tani, në asnjë moment nuk e kanë parë të udhës që dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë dëm që i kanë shkaktuar gjyqësorit në Kosovë.