Mbledhja e Senaatit të UP-së | Foto: KALLXO.com

Këshilli Drejtues i UP-së nuk voton për Prorektoren e propozuar nga Marjan Dema

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës nuk ka votuar për emërimin e Antigona Hasanit si Prorektore për marrëdhënie me jashtë në mbledhjen e mbajtur sot.

Burime nga UP kanë thënë për KALLXO.com se Këshilli Drejtues i UP-së ka shtyrë mbledhjen e saj për shkak të nevojës për t’u konsultuar rreth përzgjedhjes së Antigona Hasanit në postin e lirë të Prorektores së UP-së për shkak të disa dyshimeve ndaj të kaluarës së saj.

Propozimi për emërimin e doktoreshës Antigona Hasani për Prorektore të UP-së është bërë nga Rektori i Universiteti të Prishtinës, Marjan Demaj, gjatë ditës së enjte në mbledhjen e rregulltë të Senatit të UP-së.

KALLXO.com ka kontaktuar me kryesuesen e Këshillit Drejtues të UP-së, Ardiana Bunjaku, e cila ka thënë se mbledhja e sotme është shtyrë dhe nuk është marrë asnjë vendim.

E pyetur nëse Këshilli Drejtues ka dyshime për të kaluarën e doktoreshës Antigona Hasani, kryesuesja Bunjaku nuk deshi të japë detaje.

“ Jemi duke punuar në atë drejtim, kështu që dëgjohemi një herë tjetër”, tha shkurt Bunjaku e cila nuk deshi të jap më shumë të dhëna se për çfarë dyshimesh bëhet fjalë.

KALLXO.com në vazhdim do të ju mbaj të informuar për dyshimet që supozohet të jenë ngritur nga Këshilli Drejtues i UP-së për doktoreshën Antigona Hasani.

Antigona Hasani, është profesoreshë e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës dhe njëkohësisht është në marrëdhënie pune në Spitalin Amerikan në Prishtinë.