KES/CO Dënohet për Shkelje të Privatësisë së Konsumatorëve

Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KES/CO) është dënuar me gjobë prej 9 mijë euro nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ky dënim erdhi pasi që Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale kishte inspektuar KES/CO për mosmarrjen e masave për parandalimin e qasjes së paautorizuar në të dhënat personale të konsumatorëve.

“Divizioni për Kundërvajtje i Gjykatës Themelore në Prishtinë, shqiptoi gjobën prej 9.000 euro, meqë kjo kompani, me rastin e shpërndarjes së faturave të energjisë elektrike, nuk kishte bërë zarfimin e tyre, përkatësisht nuk kishte marrë masa të sigurisë për të parandaluar çfarëdo qasje të paautorizuar në të dhënat personale të konsumatorëve të saj”, thuhet në komunikatën për media të Zyrës për Informim të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Sipas Agjencisë, mënyra se si janë përpiluar të dhënat personale nga KES/CO bie ndesh me dispozitën 14 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe si e tillë përbën shkelje të privatësisë së individit.

“Vlen të theksohet se zyrtarët, të punësuarit dhe personat tjerë që kryejnë punë lidhur me përpunimin e të dhënave, përfshirë kontrolluesin e të dhënave, janë të obliguar që gjatë dhe pas kryerjes së punëve të kontraktuara, të mbrojnë fshehtësinë e të dhënave personale me të cilat ata njihen”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.