BE Kërkon nga Deputetët të Tërhiqen nga Shfuqizimi i Speciales

Bashkimi Europian i ka bërë thirrje deputetëve që iniciuan shfuqizimin e Gjykatës Speciale me anë të një nisme në Kuvend, që të tërhiqen nga kjo iniciativë.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar sot, Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesja Speciale e BE-së në Kosovë dhe krerët e misioneve të BE-së në Kosovë thuhet se çdo përpjekje për shfuqizimin e kësaj gjykate do t’i dëmtonte rëndë raportet e Kosovës me BE-në.

“Çdo përpjekje për ta shfuqizuar apo amandamentuar mandatin e GJykatës Speciale dëmton seriozisht një përkushtim të tillë dhe do ta rrezikonte punën e përbashkët të BE-së dhe Kosovës që është bërë viteve të fundit në sundim të ligjit. Kjo do të ndikonte rëndë në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në”, thuhet në deklaratë.

Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar GJykatën Speciale në gusht të vitit 2015 ndërsa BE e kishte përshëndetur këtë vendim.

“BE kërkon nga iniciuesit e iniciativës parlamentare që ta tërheqin atë. BE mirëpret deklaratat e fundit nga liderët politikë në mbështetje të respektimit të obligimeve të Kosovës. BE përshëndet mediat dhe shoqërinë civile për ngritjen e zërit kundër kësaj iniciative të dëmshme”, thuhet në deklaratë.

Nga ana tjetër, BE tha se e mbështet fuqishëm progresin e Kosovës drejt intergrimit europian.

“Progresi i Kosovës drejt integrimit europian, përfshirë përpjekjet e sinqerta të Kosovës për garantimin e demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe pajtimit sot duhet të mbështeten më shumë se asnjëherë më parë. Lidershipi i Kosovës duhet ta mbajë Kosovën të ankoruar vendosmërisht në agjendën europiane të cilën e ndan rajoni i Ballkanit Perëndimor, në përputhje me dëshirat dhe pritjet e popullit të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

12 Janar 2018 - 10:58

Përparim Isufi 12/01/2018 - 10:58
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend