Pamje nga seanca e sotme e gjykimit të Enver Islamit - Foto: KALLXO.com

Kërkon Falje për Vrasjen e Para 23 Viteve

Enver Islami nga Potoku i Podujevës e pranoi fajin për vrasjen e Xhemshit Ajvazit, 23 vite më parë.

Islami në fjalën e tij përfundimtare tha se është thellësisht i penduar për rastin që kishte ndodhur në Podujevë dhe i kërkoi falje familjes së të ndjerit.

“Thellësisht jam i penduar për rastin që ka ndodhur. Dhimbja është e dyanshme e veçanërisht te familja e të dëmtuarit. Jam shumë i penduar për rastin që ka ndodhur. Të ndjerin e kam pasur në klasë në vitin 1984-85 dhe ka qenë një djalë bujar dhe shumë punëtor”, tha Islami.

Me gjithë kërkim-faljen, vëllezërit e të ndjerit, edhe pse nuk kërkuan kompensim, kërkuan nga trupi gjykues që ta akuzuarin ta dënojë ashtu që të ruhet substanca e familjeve të përfshira në këtë rast.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, 23 vite më parë, saktësisht më 28 prill 1993, rreth orës 19:30, në rrugën “Skënderbeu”, nga hakmarrja e paskrupullt Enver Islami e privon nga jeta të ndjerin Xhemshit Ajvazi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Islami kishte shtënë së pakur katër herë nga një armë e paidentifikuar ndërsa njëri nga plumbat e ka qëlluar tani të ndjerin Xhemshit, i cili kishte ndërruar jetë më pas në QKUK në Prishtinë.

Prokurori i rastit Hivzi Bajraktari në fjalën e tij përfundimtare tha se i akuzuari është lajmëruar vullnetarisht për vrasjen që kishte ndodhur pasi që ishte kthyer nga Spanja ku kishte qëndruar.

Bajraktari kërkoi nga trupi gjykues që të akuzuarin ta dënojnë sipas ligjit, sepse në atë formë ngrihet rritet te qytetarët e Kosovës që drejtësia mund të vonojë por asnjëherë nuk harron.

Në anën tjetër, avokati mbrojtës, Tahir Rrecaj, kërkoi që si rrethanë veçanërisht lehtësues të konsiderohet pranimi i fajësisë dhe fakti se i akuzuari është penduar.

Rrecaj disa fjalë pati edhe për kualifikimin juridik të veprës penale duke thënë se në kohën kur kishte ndodhur vrasja ishte paraparë si sanksion edhe dënimi me vdekje, ndërsa pasi që nuk ekziston ky dënim sanksioni penal sipas ligjit më të favorshëm në atë kohë ishte dënimi prej 5 deri në 15 vite burg.

Aktgjykimi për këtë rast do të shpallet të mërkurën.