Paraqitja e raportit të ZRrE-së. Foto: KALLXO.com

Kërkohet më Shumë Punë nga ZRRE-ja

Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së Enver Halimi paraqiti në këtë komision Raportin Vjetor të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2015.

Halimi e konsideroi pozitive për ZRrE-në kompletimin e bordit të saj, ndërsa e cilësoi sfidë përmbushjen e kërkesave për integrimin në tregun rajonal.

“Zyra e Rregullatorit ka arritur rezultate të mira në vitin 2015. Pozitive është edhe kompletimi i bordit me pesë anëtarë, sepse në vitin 2013-2014 kemi funksionuar vetëm me tre anëtarë. Qëllimi jonë i përhershëm është ngritja e kapaciteteve profesionale, por ende mbeten sfida të cilat i kemi ndaj kërkesave për integrimin tonë në tregun rajonal,” tha Halimi.

Gazeta “Jeta ë Kosovë” vitin e kaluar shkroi për bordin e politizuar të ZRrE-së.

ZRrE e Pushtuar nga Partitë në Pushtet

Kryesuesi i Komisionit për Zhvillim Ekonomik Muhamet Mustafa kërkoi sqarime për dy çështje të përmendura në raport.

Për mua janë shumë të rëndësishme dy çështje-dinamika e problemit të humbjeve teknike komerciale në rrjetin e shpërndarjes, i cili mbetet mbrapa dinamikës së paraparë  ku një pjesë bie në dëm të KEDS-it  dhe një pjesë bie në dëm të konsumatorëve. Çështja e dytë është dinamika e investimeve, sipas kontratës që e kemi me KEDS-in përsëri nuk e kemi një raport mbi analizën e lartësisë së investimeve,” tha Mustafa

Anëtari tjetër i Komisionit për Zhvillim Ekonomik Blerim Grainca kërkoi nga Bordi i ZRrE-së sqarime lidhur me ngecjet në investime kapitale si për miniera dhe minerale, po ashtu edhe për “Kosovën B”.

“Po i referohem tabelës ku po i shoh investimet nga Korporata Energjetike e Kosovës-KEK. Në bazë të të dhënave që i kemi në tabelë, për shembull, investimet e parapara në minerale dhe miniera janë realizuar vetëm 13 për qind, e të gjitha këto janë furnizime, janë blerë ekskavatorë, janë blerë bolduzerë, pastaj në ‘Kosovën B’ kemi vetëm 28 për qind realizim të investimeve, a i ka mbikëqyrë këto ZRrE-ja dhe cilat janë arsyet që kemi pasë një ngecje të tillë,” tha Grainca.

Krenar Bujupi nga ZRrE-ja theksoi se ligji lejon të ketë humbje komerciale, ndërsa për miniera theksoi se KEK-u nuk ka vizion.

“Sa u përket humbjeve komerciale, kjo punë është e rregulluar me ligj ku lejohet një humbje e tillë. Nëse keni ju ndonjë ide tjetër si komision, mundeni me sugjeru-cilado zgjidhje që të gjendet humbjet duhet të paguhen nga dikush. Sa u përket investimeve, është e paraparë një periudhë kohore prej katër vjetësh për KEK-un. Në rast se ato nuk investohen, mjetet kthehen në sistem dhe gjatë vitit ne bëjmë trysni që ato mjete të investohen, sa i përket KEK-ut investimet kanë qenë të vogla, përderisa investimi i vogël në miniera është se KEK-u nuk ka vizion për këto miniera,” tha Bujupi.

Anëtarët e këtij komisioni kërkuan performancë më të mirë nga ZRrE-ja për zvogëlimin e humbjeve teknike komerciale si dhe trysni mbi KEDS-in që të shqyrtojë ankesat e konsumatorëve.

Gjatë vitit 2015 nga 12 mijë ankesa drejtuar KEDS-it, janë shqyrtuar vetëm 6 mijë.