Foto: Universiteti i Prishtines

Kërkohet Shkarkimi i Prorektores për Deklaratat Lidhur me Ngacmimin Seksual

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka reguar lidhur me deklaratat e Prorektores së Universitetit të Prishtinës, Teuta Pustina lidhur me ngacmimet seksuale në universitet.

Pustina ditë më parë në media kishte deklaruar se studentet duhet të kenë kujdes në mënyrën e veshjes për të evituar ngacmimin seksual.

Kjo u konsiderua ‘pozicion ekstremist të patriarkalizmit’ nga ORCA që po kërkon kërkimfalje nga Pustina.

“Edhe më shqetësues është fakti që Universiteti i Prishtinës nuk ka politikë për luftimin e kësaj dukurie dhe mbrojtjen e viktimave të këtyre sulmeve. Në anën tjetër deklaratat që përfaqësojnë një pozicion ekstremist të patriarkalizmit, si ajo e prorektores Pustina, është stimulues e sulmuesve për të vazhduar me aktivitetin e tyre të paligjshëm pa u penguar.”, thuhet në reagim.

Ata po ashtu kanë kërkuar shkarkimin e prorektores.