Qemajl Mustafa, ish kryetar i Gjilanit

Kërkohet Plotësimi i Aktakuzës në Rastin e Qemajl Mustafës

Lajmin për KALLXO.com e ka bërë të ditur gjyqtari i rastit, Sylë Lokaj.

Ai tha se ka kërkuar nga prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës që ta plotësojë aktakuzën.

“Forma e akuzës të plotësohet, forma e veprave penale ndaj të akuzuarve të specifikohet më mirë”, tha Lokaj të ketë qenë kërkesa e tij drejtuar Prokurorisë Speciale.

Sipas gjyqtarit, pasi Prokuroria ta bëjë plotësimin e aktakuzës do caktohet seanca fillestare.

“Prokurori e ka një afat për ta rregulluar aktakuzën. Porsa të rregullohet brenda afatit që është caktuar do e caktojmë mbajtjen e seancës”, tha Lokaj për KALLXO.com.

Muajin e kaluar kishte filluar gjykimi ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 38 të akuzuarave të tjerë, të cilët Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon me veprat penale krim i organizuar dhe korrupsion.

http://kallxo.com/gjykimi-qemajl-mustafes-ne-sallen-e-asamblese/

Seanca ishte shtyrë për shkak se shumicës prej të akuzuarave iu munguan avokatët mbrojtës.

Aktakuza ndaj Mustafës dhe të tjerëve u ngrit në shtator të vitit të kaluar.

38 të akuzuarit e të tjerë janë zyrtarë komunalë dhe pronarë apo përfaqësues të operatorëve ekonomikë.

Sipas aktakuzës, zyrtarët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ose duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, ndërsa të pandehurit e tjerë duke vepruar si pronarë apo përfaqësues të këtyre operatorëve ekonomikë, kanë ushtruar veprimtari ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për operatorin ekonomik tjetër, me rastin e ofertimit në aktivitete të prokurimit në Komunën e Gjilanit.

Sipas provave të cilat i janë bashkëngjitur aktakuzës, ish-kryetari Qemajl Mustafa ka koordinuar veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit, më saktë pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë (bizneset) e cekura në aktakuzë.

Për këtë aktakuzë KALLXO.com shkroi në shkurt të këtij viti, kur ky gjykim u caktua të zhvillohej në Pejë.

http://kallxo.com/gjykimi-qemajl-mustafes-zhvendoset-ne-peje/