Kërkohet Përkthyes në Gjykimin për Vrasje

Hamza Abazaj, i akuzuari për vrasjen e Ibrahim Nezirajt kërkoi përkthyes nga shqipja në suedishte.

Bashkë me Abazajn për këtë vrasje dhe plagosjen e Bleart Nezirajt po akuzohet edhe babai i tij Isufi.

Në gjykatë Hamza Abazaj e arsyetoi kërkesën për përkthyes me faktin se është rritur jashtë Kosovës.

“Jam rrit edhe kam lind jashtë, po unë se kuptoj juridiken, e do fjalë. Po dua përkthyes të suedishtes”, tha i akuzuari.

Më pas MUharrem Hoti, avokati i Abazajt  i propozoi gjykatës që seanca fillestare të shtyhej derisa të angazhohet një përkthyes.

“Një propozim e kam që të shtyhet kjo seancë fillestare, ti sigurohet një përkthyes adekuat sepse e ka atë të drejtë edhe me Kodin e Procedurës Penale”, tha Hoti.

Gjykata e aprovoi kërkesën e të akuzuarit dhe mbrojtësit e tij dhe vendosi ta ndërpresë seancën derisa të gjendej përkthyesi.

Pastaj, Gëzim Kollçaku, avokati i të akuzuarit Isuf Abazaj kërkoi ndërprerjen e paraburgimit të mbrojturit të tij.

“Isufit paraburgimi ju ka caktuar për një vepër krejt tjetër e që gjatë hetimeve prokurorja nuk e ka vërtetuar atë vepër”, tha Kollçaku

Edhe Muharrem Hoti, avokati i Hamza Abazajt kërkoi heqjen e paraburgimit për personin  që po mbron.

Por prokurorja Sahide Gashi kundërshtoi kërkesat për ndërprerje të paraburgimit me arsyetimin se dy të akuzuarit janë shtetasë suedezë dhe mund të largohen nga Kosova.

Ajo i cilësoi shkelje diskutimet pas vendimit për ndërprerje të seancës.

“Këtu janë t’u shkel të drejtat elementare të  akuzuarit Hamzë,i cili u deklarua që nuk e kupton gjuhën që kërkon përkthyes,edhe me sa e kuptova u vendos mu shty kjo seancë. Këtu po lejohet me hi në shqyrtimin edhe të ekspertizave, procedurave që unë po mendoj që çdo vazhdim në këtë drejtim është shkelje përderisa nuk e kupton i akuzuari se çka është t’u ndodhë këtu”, tha prokurorja Gashi

Vazhdimi i seancës u caktua më 25 korrik.