Pamje nga seanca e gjykimit për vrasje - Foto: KALLXO.com

Kërkohet Përjashtimi i Gjyqtarit në Rastin e Vrasjes në Gadime

Kërkesës së avokatit Aziz Rexha iu bashkuan edhe mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë, Mentor, Shpend dhe Xhezair Agushit.

“Familja e dëmtuar ka kontakte familjare me familjen e gjyqtarit Abdullah Ahmeti pasi që janë të rrethit të njëjtë dhe dyshojmë në paanshmërinë e tij. Kemi të bëjmë me një aktgjykim të kaluar ku janë listuar një numër i madh i shkeljeve”, tha avokati Rexha.

Ndërkaq, përfaqësuesja e familjes së dëmtuar Demiri, avokatja Fehmie Gashi-Bytyqi, mohoi pretendimin e mbrojtjes së të akuzuarve, duke thënë se babai i të ndjerit R. Demiri as nuk e di se cili nga gjyqtarët është Abdullah Ahmeti.

“Babai i të ndjerit nuk e di as për kënd është fjala”, tha avokatja Gashi-Bytyqi.

Lidhur me këtë kërkesë, seanga gjyqësore është shtyrë për një afat të pacaktuar deri sa të vendoset lidhur me përjashtimin e gjyqtarit Abdullah Ahmeti.

Gjykata Themelore në Prishtinë në tetor të vitit 2014  i ka dënuar 4 të akuzuarit me 43 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e R. Demirit në vitin 2012.

Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzonte Arian, Mentor, Shpend dhe Xhezair Agushin se kanë kryer së bashku vrasjen e R.Demirit më 12 prill 2012 në fshatin Gadime e Epërme të komunës së Lipjanit.

Arian, Mentor e Shpend Agushi janë vëllezër, ndërsa Xhezair Agushi xhaxhai i tyre.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë nga ky gjykim. Raportet mund t’i gjeni këtu.

Redaktoi: Naser Sertolli