Foto: Facebook

Kërkohet Mosmiratimi i Udhëzimit për Homologim të Automjeteve

Instituti GAP kërkon nga Qeveria e Kosovës që të mos e miratojë udhëzimin e ri administrativ, i cili synon që kompanisë aktuale të autorizuar për homologim t’ia vazhdojë monopolin.

Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Infrastrukturës për Përcaktimin e Kushteve dhe Procedurave për Homologim të Mjeteve Rrugore, i nxjerrë për konsultim publik më 23.11.2017, sipas GAP-it përmban elemente që kufizojnë konkurrencën e lirë dhe futjen në treg të subjekteve tjera.

Sipas nenit 119 të Kushtetutës së Kosovës “Veprimet që kufizojnë konkurrencën e lirë përmes vendosjes ose abuzimit të pozitës dominuese, ose praktikave që e kufizojnë konkurrencën, janë të ndaluara”.

Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka monopol në homologimin e automjeteve.

Në fund të vitit 2008 Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit (tash Ministria e Infrastrukturës) pati nënshkruar një kontratë ekskluzive me kompaninë “Eurolab” për homologimin e veturave që regjistrohen për herë të parë në Kosovë.

Pas kontratës, ministria i ka lëshuar kompanisë një autorizim për veprimtari ekskluzive dhjetëvjeçare, 2009-2019.

Para nënshkrimit të kontratës dhe dhënies së autorizimit, Ministria nuk ka shpallur procedura të tenderimit, duke shmangur në këtë formë konkurrencën, duke i dhënë qasje ekskluzive vetëm një kompanie.

“Në vend se të ndërmerren hapa për largimin e monopolit, Udhëzimi i ri Administrativ i jep të drejtën kompanisë ekzistuese të vendosë mbi subjektet konkurruese”, thuhet në komunikatën për shtyp të Institutit GAP.

Sipas nenit 7 të udhëzimit të ri “Ministria autorizon subjektin për homologim si rezultat të kapaciteteve të pamjaftueshme aktuale të subjekteve ofruese të shërbimit që influencojnë nevojën e arsyeshme të rezultuar nga vlerësimi i kapaciteteve dhe studimi i fizibilitetit për vlerësimin e nevojës për autorizim të subjektit të ri mbi bazën e parimit të barabarësisë së kushteve për subjektin pretendues…”.

Neni 7.4 thotë se Ministria mund të lejojë autorizimin e një subjekti të ri nëse rezulton se shfrytëzimi mesatar i kapaciteteve (të subjektit ekzistues) është mbi 85% në tre vjetët e fundit dhe nëse studimi i fizibilitetit është i pranueshëm për subjektin ekzistues dhe pretenduesin potencial.

Në versionin aktual, ky udhëzues administrativ, e bën gati të pamundur futjen në treg të një subjekti të dytë, kurse nuk parasheh aspak mundësinë që të ketë edhe subjekt të tretë apo të katërt.

“Përderisa qeveritë e rajonit e kanë hapur tregun duke autorizuar deri në shtatë kompani për homologim, Kosova synon të mbajë monopol në këtë fushë”, potencohet në komunikatën e lëshuar nga GAP-i.

Instituti GAP e ka ftuar Autoritetin Kosovar të Konkurrencës që ta interpretojë këtë udhëzim administrativ dhe i rekomandon Qeverisë që të mos e miratojë atë në version aktual.