Konferenca për mbrojtjen e të dhënave personale | Foto:KALLXO.com

Kërkohet Mbrojtja e të Dhënave Personale të Pacientëve

Agjencia Shtetërore për mbrojtjen e të dhënave personale organizoi sot një konference në të cilën u fol për mbrojtjen e të dhënave personale në sektorin e shëndetësisë.

Jeton Arifi, drejtor në këtë agjenci tha se punonjësit e sektorit të shëndetësisë me punën e tyre të përditshme përpunojnë të dhëna të pacientëve shumë prej të cilave janë të dhëna të ndjeshme.

“Trajtimi joadekuat i të dhënave do të mund të linte gjurmë të pariparueshme në privatësinë e pacientëve, por edhe do të mund të ndikonte negativisht në imazhin dhe besueshmërinë e institucioneve shëndetësore”, tha Arifi.

Ndërsa Julia Jacoby nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë tha se mbrojtja e të dhënave personale duhet të ketë një trajtim dhe rëndësi të veçantë.

“Askush nuk dëshiron që shëndeti apo informacionet për shëndetin e tij të kalojë në duar të gabuara. Këto të dhëna duhet të mbrohen mirë”, tha Jacoby.

Drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore nga Ministria e Shëndetësisë Fatmir Plakiqi tha se institucionet shëndetësore kanë krijuar një kornizë më të mirë ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Konsiderojmë se rritja e nivelit të njohurive tek institucionet publike dhe private për zbatimin e rregullave që vlejnë për mbrojtjen e këtyre të dhënave është me interes të veçantë”, tha Plakiqi .

Plakiqi shtoi se sektori i shëndetësisë më së shumti sfidohet nga shkelja e privatësisë duke pasur parasysh  faktin se vetë sistemi  e ka në qendër pacientin.

Ndërsa drejtori  i përgjithshëm i agjencisë Bujar Sadiku në këtë konferencë tha se agjencia këtë vit do ta ketë prioritet mbikëqyrjen e punëve të mjekëve në mënyrë që qytetarët të mos kenë shqetësime për të dhënat e tyre shëndetësore.

Kjo konferencë e organizuar nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale u organizua me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Privatësisë.