Kërkohet Drejtësi për Ismet Rracin në 16 Vjetorin e Vrasjes së tij

Asim Rraci thotë se mungon vullneti i organeve të drejtësisë për ta zbardhur rastin e babait të tij, që u vra në mëngjesin e 24 prillit të vitit 2001 teksa po shkonte në vendin e tij të punës.

“Përndryshe dëshmi për zbulim dhe dëshmi për të ardhur deri tek identifikimi i organizuesve, se vrasësi nuk është shumë me rëndësi, po ata që kanë dhënë urdhër ka qenë shumë e letë. Na jetojmë një vend ku e njohim secili-secilin, nuk ka ndodhur diçka në kohë lufte ku ka qenë çdo gjë kaos, por ka ndodhur në kohën kur veç institucionet kanë funksionuar, kemi pasur polici ndërkombëtare dhe vendore”, tha Rraci për KALLXO.com.

Gjithashtu, ai theksoi faktin se vrasja ka ndodhur në mëngjes dhe nuk ka ndodhur në ndonjë kënd të një fshati ku nuk e sheh askush por në qendër të qytetit.

“Ka dëshmitarë që e kanë pa rastin në shumë detaje po fatkeqësisht disponimi s’ka qenë për ta zbardhur”, tha ai.

Asim Rraci tha se thirrjet për vrasjen e babait të tij të bëra gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2001 duhet t’i shërbejnë Prokurorisë.

Pakënaqësi për moszbardhjen e rastit të vrasjes së bashkëpartiakut shprehu edhe Fadil Gashi, kryetar i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Klinë.

“Unë e përmenda qiririn e Naimit, ka njerëz që ia kanë përmend  Ismetit për së gjalli se kemi me të fikë sikur qirin e Naimit. Të tjerët e kanë lëvduar, dikush e ka përmend që kemi me të fikë. Kemi fjalë publike që kanë thënë se dihen vrasësit e Ismet Rracit”, tha Gashi pas homazheve te varri i Ismet Rracit.

E kryetari aktual i Klinës, Sokol Bashota, e quajti atdhetar të mirë Ismet Rracin.

“ Ne nuk mund të jemi të kënaqshëm derisa ende deri me sot nuk kemi asnjë pistë ku organet e drejtësisë kanë sqaruar opinionin për këtë vrasje makabër që ka ndodhur në komunën e Klinës. Ne e kemi pasur rastin që ta njohim Ismet Rracin, e kam pasur edhe bashkëpunëtor personal, ka qenë një njeri jo vetëm si familjar por ka qenë edhe atdhetar i mirë”, tha Bashota për KALLXO.com.

Në 16-vjetorin e vrasjes janë bërë homazhe te varri i tij në fshatin Siqevë dhe para bustit të tij në oborrin e Komunës së Klinës janë vendosur buqeta lulesh.

Po ashtu, nën organizimin e kryetarit Bashota është mbajtur edhe akademi përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së Ismet Rracit.