Oda Ekonomike e Kosovës

Kërkohet Avansim i Bashkëpunimit Ekonomik Kosovë-Shqipëri

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Oda Ekonomike të Kosovës e kanë përkrahur iniciativën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama për bashkimin e vendkalimit doganor në Morinë dhe Vërmicë.

Përmes një deklarate të përbashkët për media, thuhet se ky bashkim do të eliminojë procedurat burokratike doganore midis dy vendeve.

“Kërkojmë gjithashtu që për mallrat me origjinë shqiptare dhe kosovare të përdoret një korsi e veçantë, nëpërmjet të cilës kalimet nuk do të bëhen me procedura klasike doganore por vetëm me një autorizim, i cili do të lëshohet nga një operator ekonomik, i njohur nga dyja doganat”, thuhet në deklaratë.

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Oda Ekonomike e Kosovës sipas njoftimit kanë mision të përbashkët forcimin dhe zhvillimin e sipërmarrjes dhe do të vazhdojnë të jenë iniciatorë të bashkëpunimit dhe aktiviteteve që kanë si synim lehtësimin e të bërit biznes mes dy vendeve.

Kjo iniciativë sipas komunikatës i inkurajon Ministritë e Financave të dy vendeve që të marrin masa të mëtejshme për thjeshtëzimin e procedurave doganore dhe tatimore.