Një qytetare duke votuar - Foto: Atdhe Mulla

Kërkohet Arrest Shtëpiak për të Dyshuarit për Blerje Votash

Kryeprokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Jetish Maloku, tha për KALLXO.com se ndaj dy të ndaluarve, N.S. dhe M.J., nga Pasjani i Parteshit, të dyshuar për veprën penale dhënie ose marrje e ryshfetit në lidhje me votimin, është kërkuar masa e arrestit shtëpiak.

Prokuroria e Shtetit njoftoi sot se deri në ora 12:00 në tërë territorin e Kosovës janë raportuar dy raste me tre persona të ndaluar, lidhur me procesin zgjedhor që është duke u zhvilluar sot.

Në njoftim shpjegohet edhe arsyeja e ndalimit të këtyre personave.

“Dy persona janë ndaluar si të dyshuar për kryerje të veprës penale dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin. Ndërsa, një person është ndaluar me dyshimin për kryerje të veprës penale asgjësimi i dokumenteve të votimit”, vijon njoftimi.

Dy të ndaluarit për marrje dhe dhënie ryshfeti janë nga komuna e Parteshit, ndërsa i ndaluari tjetër nga Mitrovica e Jugut.

http://kallxo.com/deri-ne-mesdite-tre-te-ndaluar-per-shkelje-zgjedhore/

KALLXO.com shkroi sot se 86 prokurorë do të kujdesen sot për ndjekjen e shkeljeve ligjore.