Diskutimi i QKSS-së për ekstremizmin | Foto: KALLXO.com

Kërkohen Debate me Studentë për Ekstremizmin

Gjatë diskutimeve rreth zbatimit të strategjisë për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çon në terrorizëm në Komunën e Prishtinës, të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë u kërkua debat me studentë në lidhje me këtë çështje.

Kujtim Bytyqi nga Ministria e Punëve të Brendshme e kërkoi një debat të tilla, duke thënë se nuk ka parë që ai të ketë ndodhur deri tash.

“Pak kam pa debate akademike me studente në lidhje me këtë temë. Këtu duhet të angazhohet më shumë MAShT-i”, tha Bytyqi.

Ai deklaroi se luftimi i ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit e terrorizmit nuk u takon vetëm institucioneve qendrore.

“Luftimi i ekstremizmit nuk është veç detyrë e nivelit qendror, por e gjithë shoqërisë, e roli i komunave në këtë luftë është shumë i madh”, tha Bytyqi.

Ibush Kelmendi, koordinator i Këshillit Komunal të Prishtinës për Siguri në Bashkësi tregoi aktivitetet që kjo komunë ka zhvilluar kundër ekstremizmit.

“Si Komunë vitin e kaluar i kemi mbajtur dy konferenca me Ministrinë e Punës dhe Bashkësinë Islame. Kemi bashkëpunim të ngushtë. Ne kemi konstatu dhe kemi marrë masa parandaluese, kemi organizu trajnime në shkollat fillore të Prishtinës, takime me prindër, polici dhe BIK-un”, tha Kelmendi.

Në diskutime, Fitim Flugaj nga Bashkësia Islame e Kosovës tha se interneti po ndikon në rritje të ekstremizmit.

“Me imamin fëmija mund të jetë dy orë, po me internetin është 22 orë. Thirrjet që po drejtohen nga ata të rinj që janë mashtruar janë të dëmshme, por ne në bashkëpunim me institucionet po përpiqemi si BIK të mos ketë urrejtje në baza ideologjike”, tha Flugaj.

Agron Metolli nga Policia e Kosovës përmendi policët në bashkësi në luftë kundër ekstremizmit.

“Secili stacion i ka zyrtarët raportues të komunitetit dhe ka zinxhir deri tek drejtori. Polici i lagjes është në kuadër të komunitetit, që qëllim kryesor ka marrjen e informacionit”, tha Metolli.

Florian Qehaja në këtë diskutim reagoi edhe kundër agjencisë ruse të lajmeve Sputnik që tha se në një shkrim të saj ka keqpërdorur të dhëna nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

http://kallxo.com/qehaja-qarqet-proruse-duan-ta-njollosin-kosoven/