I dyshuari Mentor Shuki del para Gjykatës – Foto: KALLXO.com

Kërkohen 30 Ditë Paraburgim Për Mentor Shukin

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka kërkuar 30 ditë paraburgim për të dyshuarin Mentor Shuki, i cili gjatë ditës së djeshme është kapur në posedim të substancave narkotike në Prizren.

Sipas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e kësaj mase, të siguruar nga KALLXO.com, i dyshuari Mentor Shuki në afërsi të qendrës rekreative “Andra” në Prizren është vërtetuar se pa autorizim posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes substancë narkotike apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotik.

NDËRLIDHUR

Sipas kësaj kërkese, të dyshuarit Shuki i janë gjetur lloje të ndryshme të substancave të cilat dyshohen të jenë narkotik.

“Tek i dyshuari Mentor Shuki është gjetur sasi për të cilën dyshohet se është substancë narkotike dhe atë një shishe qelqi në të cilën gjendej substanca e lëngshme e dyshuar si narkotik të llojit GHB me një peshë rreth 162.97 gram, një shishe qelqi në të cilën gjendej substanca e lëngshme e llojit GHB me një peshë rreth 50.71 gram, katër (4) qese plastike në të cilët gjendej substance pluhur i bardhë e dyshuar për narkotik të llojit “Speed” me peshë prej 3.81 gram si dhe një (1) paketim me qese letre në të cilin gjendej një substancë pluhur e llojit “Speed” me peshë prej 0.87 gram e të cilat më pas janë konfiskuar nga ana e Policisë”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë së Prizrenit drejtuar Gjykatës së këtushme.

Avokati mbrojtës i të dyshuarit Mentor Shuki, Asdren Bytyqi, tha se nuk janë plotësuar kriteret ligjore për caktimin e masës më të rëndë – atë të paraburgimit dhe po ashtu tha se i mbrojturi i tij e ka pranuar që substanca e gjetur është e tij por ai këtë nuk e ka bërë me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes por për plotësimin e nevojave të tij pasi ky i fundit është i varur nga droga.

Para se të fillonte seanca e dëgjimit, mbrojtësi i të dyshuarit Mentor Shuki, avokati Asdren Bytyqi kishte kërkuar përjashtimin e mediave nga salla.

Mirëpo, kërkesa e avokatit është refuzuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, Artan Sejrani.

Vendimi pritet të merret gjatë ditës.

KALLXO.com raportoi mbrëmë për arrestimin e të dyshuarit Mentor Shuki.

Mentor Shuki Arrestohet për Narkotik

08 Gusht 2017 - 16:02

Lekë Muqaj 08/08/2017 - 16:02
NDËRVEPRIMI0