Ushtarë kroatë gjatë të operacionit "Stuhia". Foto: BETAPHOTO/HINA/Lana Slivar Dominic.

Kërkimi Tragjik për Viktimat e Operacionit 'Stuhia'

“Katarina Bajloviç (f), serbe, 90 vjeçe, e gjetur në Luscani në Kroacinë qendrore… Ajo ishte e moshuar dhe e sëmurë dhe ndenji në shtëpinë e saj gjatë operacionit ushtarak-policor “Stuhia”. Ajo u vra në shtëpinë e saj. Kokën ia kishin prerë dhe trupi që u gjet në hyrje të shtëpisë ishte shqyer nga derrat.”

Ky përshkrim është nga një raport i OJQ-së Komiteti kroat i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, i cili hetoi krimet e kryera gjatë dhe pas operacionit “Stuhia”, ku forcat e Zagrebit mposhtën rebelët serbë në gusht të vitit 1995.

Bojan Munjin, tani një gazetar që mbulon teatrin dhe kulturën për të përjavshmen kroate Novosti, ishte një prej tyre – dhe si shumë të tjerë, përvoja traumatike e dokumentimit të krimeve i ka ngelur në mendje.

“Imazhi i trupave të dekompozuar të një gruaje të moshuar dhe atij që rezultoi se ishte djali i saj, me duart e lidhura me tel, më përndjek ende,” kujton Munjin.

Ai ishte pjesë e ekipit hulumtues të Komitetit kroat të Helsinkit për Sektorin Jugor të OKB-së, përreth rajonit të Kninit, nën udhëheqjen e një prej anëtarëve më të shquar të OJQ-së, të ndjerit Petar Mrkalj.

“Kudo përreth kishte fshatra të djegura, disa prej të cilëve vazhdonin ende të digjeshin dhe në disa vende në tokë kishte ende trupa të pajetë” tha Munjin për BIRN.

Ai tha se hulumtuesit, të cilët i filluan kërkimet e tyre në terren në gusht 1995, menjëherë pas fitores së Kroacisë në operacionin “Stuhia”, kanë punuar nën një presion të madh sepse shteti dhe një pjesë e mediave të vendit nuk ishin “të kënaqur” me faktin që OJQ-ja hetonte krimet e kryera gjatë operacionit.

Ndërkohë, për disa studiues, sidomos për studentët vullnetarë, ishte “hera e parë në jetën e tyre që shikonin kufoma”, shtoi Munjin.

Ekipet hulumtuese bisedonin me të mbijetuar, të afërmit e viktimat dhe dëshmitarët, për të përcaktuar emrat dhe besimin e viktimave. Që një person të vihej në listën e viktimave të Komitetit kroat të Helsinkit, hulumtuesit kërkonin dëshmi nga dy burime të veçanta individuale.

Munjin këmbënguli se raporti i OJQ-së u hartua profesionalisht nga “njerëz me nder dhe integritet” dhe mund të kenë ndodhur vetëm gabime shumë të vogla.

Ai mohoi pretendimet që kanë dalë nëpër mediat kroate se ata po përpiqeshin të gjenin sa më shumë viktima ishte e mundur për të zmadhuar artificialisht shifrat.

Askush “nuk po shpresonte të identifikoheshin më shumë viktima,” tha ai.

Shtypja e rebelëve serbë

Ushtarë kroatë duke hequr një tabelë rrugore në Knin gjatë operacionit “Stuhia”. Foto: Wikimedia Commons/August Dominus

Gjatë operacionit “Stuhia”, forcat kroate rimorën territorin i cili që prej fundit të vitit 1991 ishte nën kontrollin e rebelëve serbë të Kroacisë, të cilët ndihmoheshin nga Ushtria Popullore Jugosllave dhe paraushtarakët serbë.

Përveç se kryen krime në shkallë të madhe kundër kroatëve, autoritetet rebele serbe dëbuan rreth 200,000 dhe 250,000 jo-kroatë nga shteti i tyre i panjohur i kohës së luftës, Republika e Krajinës Serbe.

Pas dështimit të bisedimeve për paqe, njësitë e policisë speciale të Kroacisë dhe trupat e ushtrisë shtypën luftëtarët rebelë serbë midis 4 dhe 7 gushtit 1995 dhe rimorën të gjitha territoret e tyre përveç atyre në Kroacinë lindore.

Operacioni çoi në një krizë humanitare, pasi deri në 200,000 civilë serbë u larguan nga Kroacia gjatë dhe pas operacionit. Agjencia e OKB-së për refugjatët vlerëson se në vitin 1995, rreth 250,000 serbë u larguan nga Kroacia.

Gjatë dhe pas operacionit “Stuhia”, forcat kroate dhe autorë të tjerë të panjohur vranë gjithashtu civilë serbë.

I vetmi raport që është përpjekur deri më tani t’i identifikojë të gjithë këta viktima është ai i realizuar nga 12 ose 13 hulumtues të Komitetit kroat të Helsinkit.

Raporti i tyre, i publikuar fillimisht në vitin 1999 dhe u bë libër në vitin 2001, përmendi 677 viktima krimesh lufte.

Një tjetër nga hulumtuesit e OJQ-së, që kërkoi të mbetej anonim, këmbënguli gjithashtu se raporti ishte i besueshëm dhe se autoritetet shtetërore u përpoqën të kundërshtonin gjetjet e tij duke pretenduar se një person i renditur në listë si i vrarë, në fakt ishte gjallë.

Megjithatë, më vonë u zbulua se ishte një person tjetër me të njëjtin emër dhe mbiemër.

“Bazuar në informacionet që Manda Tisma (një nga viktimat e përmendura) ishte gjallë, Ministria e Brendshme mohoi të gjithë raportin,” shpjegoi hulumtuesi.

“Më vonë ne zbuluam se ka dy Manda Tismas, sigurisht, dhe se njëra ishte vrarë. Në atë kohë, Ministria e Brendshme nuk gjeti gabime apo të pavërteta të tjera në raport.”

Ekipi mbrojtës për gjeneralët kroatë Ante Gotovina, Mladen Markaç dhe Ivan Cermak u përpoq gjithashtu të kontestonte saktësinë e raportit, gjatë marrjes në pyetje të ish-kreut të Komitetit kroat të Helsinkit Zarko Puhovski, në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish- Jugosllavinë në vitin 2009.

Ndërsa Puhovski e pranoi se ndoshta kishte disa gabime, ai tha se në përgjithësi, faktet e raportit qëndrojnë.

Puhovski gjithashtu hodhi poshtë gjetjet e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, i cili i renditi disa nga ata që u vranë si ushtarë, pasi u gjetën me uniforma ushtarake, duke u shprehur se s’ishte e pazakontë që civilët gjatë luftërave në Kroaci apo Bosnje të vishnin pjesërisht apo edhe plotësisht uniformave ushtarake.

Të tjerë kanë pohuar se dokumentet origjinale dhe dëshmitë audio nga dëshmitarët në raport mungojnë.

Por kreu aktual i Komitetit kroat të Helsinkit, Ivan Zvonimir Cicak, tha për BIRN se kjo provë ekziston dhe se ‘është depozituar në një vend të sigurt”.

Shtëpi dhe trupa të djegur

Në raportin e saj, OJQ-ja deklaroi se më shumë se 20,000 ndërtesa – përfshirë shtëpi, plevica dhe garazhe – u shkatërruan ose u dogjën pjesërisht ose tërësisht gjatë operacionit. Ajo dokumentoi gjithashtu grabitjet e përhapura.

Munjin tha se ai pa disa shtëpi të banuara kohët e fundit me mbishkrime që thoshin: “Ë zënë: Kroate”, duke u sinjalizuar sulmuesve që të mos plaçkitnin, digjnin ose merrnin pronën që ajo të mund të merrej e paprekur pas konfliktit.

Ai kujton se si dëshmitarët kontaktuan OJQ-në për të dhënë informacione rreth krimeve, si personi që telefonoi për të folur për vrasjet e nëntë civilëve serbë të moshuar nga autorë të panjohur në fshatin Varivode në fund të shtatorit 1995.

“Mbaj mend një dëshmitar mashkull që telefonoi dhe tha se kishte gjetur disa persona të vrarë, duke thënë se ai është kroat. Ai përmendi se ishte kroat si të ishte një shenjë besueshmërie,” theksoi Munjin.

Ai mban mend gjithashtu një grua që përshkroi një incident që ndodhi një javë pas fillimit të operacionit, në të cilin nëna e saj, e cila ishte me aftësi të kufizuara, u vra.

“Ajo dëgjoi një njësi kroate që po i afrohej shtëpisë së saj dhe i pa ata nga kodra ngjitur me shtëpinë. Pas disa minutash, ajo dëgjoi një zë mashkulli që bërtiti “digjeni” dhe shtëpia mori flakë “si një shkrepëse”, tha ai.

“Duke parë ato që kemi parë, ne ndienim vetëm keqardhje. Për ne, kjo ishte një katastrofë e madhe njerëzore. Ne nuk urrenim asnjë apo dënonim nacionalizmin a ndonjë gjë tjetër. Ne thjesht u ndjemë keq për njerëzit që humbën jetët e tyre. Ne donim thjesht t’i përgjigjeshim gjithë asaj vuajtjeje njerëzore. Asgjë më shumë,” shtoi ai.

Një tjetër hulumtues, i cili dëshironte të mbetej anonim, risjell në mendje kujtimet e një vizite në Sektorin Jugor në gusht 1995, menjëherë pas operacionit, i shoqëruar nga një ushtar kroat, një kirurg ushtarak dhe një serb vendas nga Knini.

“Isha në fushën e luftës midis datës 7 dhe 15 gusht, gjatë vizitës time të parë. Fjeta në Sibenik (qytet bregdetar), dhe çdo ditë dilja në fushë,” tha hulumtuesi për BIRN.

Ndërsa bëja këtë, hulumtuesit e OJQ-ve gjithashtu mblodhën informacione nga njësitë e OKB-së në terren, të cilat raportonin mbi situatën pas operacionit.

Hulumtuesi përshkroi se si ai shkoi në një vend në Liqenin e Prokljanit pasi një mik mori informacione se prindërit e tij ishin ekzekutuar pas operacionit. Ata gjetën trupat e djegur të shokut të tij poshtë rrjetave të peshkimit bashkë me ato që kishin ngelur nga goma të vjetra makinash.

“Ata ishin qëlluar me një Kalashnikov dhe vrasësit i kishin tërhequr zvarrë trupat e tyre mbi gomat e makinave, i kishin mbuluar me rrjeta peshkimi, u kishin hedhur benzinë sipër dhe pastaj u kishin vënë zjarrin,” kujton hulumtuesi.

“Kur arrita atje, kishte disa nga eshtrat e tyre dhe një pjesë e mbetur kafke. I futa të gjitha këto eshtra në një qese, shkova me makinë në urën në Sibenik dhe i hodha në kanalin e Sibenikut. Për shkak se ai ishte një peshkatar, mendova se ishte më mirë t’i hidhja ato në det,” shpjegoi hulumtuesi.

Ai mblodhi gjithashtu gëzhoja plumbash në vendngjarje, të cilat ai më vonë i dorëzoi në zyrën e avokatit të shtetit për hetimin e saj në këtë çështje.

Autori i krimit në Liqenin e Prokljanit – Bozo Baceliç, një ushtar kroat – është i vetmi person që është dënuar ndonjëherë për krime lufte gjatë Operacionit Stuhia.

Gjykata e Lartë e Kroacisë e dënoi atë me shtatë vjet burg në maj 2014 për vrasjet e dy civilëve si dhe vrasjen e një të burgosuri lufte.

Hulumtuesi i Komitetit kroat të Helsinkit përshkruan se si, me kalimin e kohës, ai mësoi dallimet midis shtëpive të shkatërruara me mina kundërtank, të djegura nga flakëhedhës ose të hedhura në erë duke përdorur bombola normale gazi.

Edhe të mbijetuarit lanë një përshtypje të gjatë.

“Mbaj mend civilë të moshuar serbë që endeshin nëpër fshatrat atje. Njerëz të moshuar e trima që përpiqeshin të shpëtonin çdo gjë që mund të shpëtohej,” tha hulumtuesi.

Më vonë, hulumtuesi u shpërngul në veri të rajonit të Gospicit, duke mbërritur në fshatin Komic, ku ndodhën vrasjet që përshkroi Munjini.

Në fshat, autorë të panjohur vranë nëntë civilë të moshuar serbë, më i moshuara 92 vjeçe – “zonja e moshuar” të cilës i referohej Munjini.

“Ne i gjetëm ata në shkurt të vitit 1996, trupat e tyre tashmë ishin tërhequr zvarrë nga ujqërit. Bëmë fotografi, i telefonuam gjyqtarit hetues dhe policisë. Ata po bënin punën e tyre, ne bëmë tonën,” kujton hulumtuesi.

“Këto janë ndoshta fotografitë më të tmerrshme që mbaj në kokë,” tha ai.