Tryeza ku u diskutua për punësimin e të rinjve | Foto: KALLXO.com

Kërkimi i Rrugës për Punësim të të Rinjve

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në bashkëpunim me Organizatën East West Parliamentary Practice Project (EWPPP) që ndihmon zhvillimin e demokracive të reja, organizuan në Prishtinë një tryezë ku u fol për rolin e të rinjve në krijimin e politikave të punësimit.

Në tryezë morën pjesë përfaqësues të forumeve rinore të partive politike, qendrave e këshillave rinorë, por edhe pjesëtarë të shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore.

Fatmir Haxholli këshilltar i Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se duhet të ndahen më shumë mjete për punësimin e të rinjve, ndërsa kërkoi presion të rinisë në strukturat partiake për realizim të premtimeve për punësim.

Kryetarja e Forumit rinor të PDK-së Shpresa Rama tha se mund të shtohet punësimi i të rinjve nëse forcohet sektori privat.

“Fuqizimi i sektorit privat është mënyrë që mund ta shkarkojë obligimin e shtetit nga kërkesat e të rinjve,” tha Rama.

Shkodran Hoti që në tryezë përfaqësoi Lëvizjen “Vetëvendosje” tha se në Kosovë mungojnë programet politike për punësim.

“Pa një model të zhvillimit që ringjall ekonominë, rinia do të mbetet e përjashtuar në forma të ndryshme,” tha Hoti.

Jill Adler, drejtoreshë ekzekutive e East West Parliamentary Practice Project (EWPPP) tha se problemi i papunësisë në Kosovë nuk mund të zgjidhet shumë shpejt.

PDK-ja para zgjedhjeve të qershorit 2014 kishte premtuar 200 mijë vende pune, ndërsa LDK-ja 120 mijë. Këto dy parti aktualisht përbëjnë koalicionin qeveritar bashkë më Listën Serbe.

Agjencia e Statistikave vitin e kaluar konstatoi se shkalla e papunësisë në Kosovë është 32.9 për qind.

Papunësia më e lartë sipas shënimeve të kësaj agjencie është te të rinjtë e moshës 16-24 vjeçare-gati 60 për qind e tyre janë të papunë.

http://kallxo.com/ask-papunesia-ne-kosove-eshte-32-9-per-qind/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri