Pamje nga një mbledhje e Senatit të UP-së - Foto: KALLXO.com

Kërkesat e Studentëve që i Miratoi Senati i UP-së

Një prej pikave të rendit të ditës të mbledhjes së djeshme të Senatit të Universitetit të Prishtinës ishte edhe një listë me kërkesa e Parlamentit Studentor.

Ndër kërkesat ishte edhe lejimi i afateve të parregullta për provime, në prill dhe tetor, për të cilën u vendos një metodë e re.

Kërkesa tjetër kishte të bënte me kushtin për kalimin e viteve.

Parlamenti Studentor kërkonte që për kalimin e vitit të parë kusht të jetë 70 për qind e provimeve të dhëna, 50 për qind për vitin e dytë dhe 40 për qind për vitin e tretë.

Senati në bazë të vërejtjeve nga dekanët e fakulteteve të ndryshme vendosi unanimisht që kushti për kalim të viteve të jetë më së shumti dy provime të pakaluara.

http://kallxo.com/heq-afatin-e-tetorit/

Kjo do të thotë që pavarësisht numrit të provimeve për një vit në fakultete përkatëse, kushti do të jetë i njëjtë për të gjitha vitet e studimeve në nivelin bachelor.

Ndërkaq, rreth kërkesës së studentëve për nivelin master që kushti të jetë 50 për qind e provime të kaluara për të ndjekur vitin e dytë, Senati vendosi që të hiqet krejtësisht ky kusht.

Vendim është marrë edhe për organizimin e të ashtuquajturit “afat për absolventë’, që parasheh që për studentët e vitit të fundit bachelor të organizohen afate për provime  çdo muaj.

Për këtë çështje është vendosur që fakultetet, të cilave u janë dhënë kompetenca për organizimin e brendshëm, nëse kanë mundësi (hapësirë) mund të mbajnë këto provime.

Rektori Marjan Dema është shprehur i gatshëm për diskutime në mënyrë që sipas tij të arrihet një zgjidhje sa më e mirë për studentët.