Foto ilustruese: Pixabay

Kërkesat e Institucioneve për Buxhet Kalojnë Shifrën 5 Miliardë Euro

Edhe sikur të ishte 5 miliardë euro, buxheti i Kosovës nuk do të mund t’i mbulonte nevojat e institucioneve.

Kështu ka thënë kreu i kuletës së shtetit, Bedri Hamza, gjatë prezantimit të projektbuxhetit të shtetit para Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Ministri Hamza tha se projektbuxheti 2018 është bërë në koordinim me të gjitha institucionet.

“Gjatë muajit shtator dhe tetor kemi zhvilluar bisedime të shumta me të gjitha ministritë dhe agjencitë e pavarura dhe jemi koordinuar me komunat për t’u siguruar që ky draftbuxhet reflekton prioritetet e qeverisë si tërësi dhe ato të institucioneve specifike për financim në periudhën afatmesme”, shtoi ministri.

Bedri Hamza ka thënë se kanë pasur rast të dëgjojnë kërkesa të shumta, të cilat sipas tij janë edhe të drejta dhe u zotua se do të bëjnë më të mirën e mundshme.

Sipas ministrit Hamza, kërkesat për buxhet nga institucionet kalojnë shifrën 5 miliardë euro.

“Kërkesat kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha, nevojat janë të mëdha. Kërkesat për buxhet kanë qenë mbi 5 miliardë euro”, shtoi ai.