Foto: Drejtësia në Kosovë

Kërcënimi ndaj Investitorit: Ke Ble Sherr me Paren Tënde!

Emisioni i fundit ‘Drejtësia në Kosovë’ transmetoi hulumtimin i cili edhe një herë dëshmoi pengesat që u bëhen investitorëve nga diaspora dhe atyre të huaj gjatë shfrytëzimit të pronave të privatizuara në Kosovë.

Patrick Fluder një bashkatdhetar yni nga Zvicra ka privatizuar një lokal në Mitrovicë, ndërsa nuk po mund shfrytëzojë atë nga frika mos i ndodh ndonjë e keqe me ish-qiraxhinjtë e atij lokali.

Në disa incizime të cilat i ka siguruar “Drejtësia në Kosovë” Fluder komunikon me një person që pretendohet të jetë pjesëtar i familjes Aliu.

Aty dëgjohen kërcënime e kërcënime për lokalin e privatizuar.

Sipas Fluder-it, personi i cili po e kërcënon nëpërmes telefonit është ish- qiraxhiu i lokalit Enver Aliu.

“Unë mu tërhiq nuk e kom njet, unë po të tregoj se aty ma mirë është.  Edhe atëherë të kam thënë edhe tash po të them i merr sendet tua kthehesh sa të shtyn veç ki me hup ti edhe ne”, ishte biseda e Fluder-it me atë që ai thotë se Enver Aliu.

Biseda, sipas incizimeve nuk përfundon me kaq.

“Jo po hyn llugave, ke ble sherr me pare o zotëri, nuk ki me punua aty kurrë o zotëri, të kom tregu edhe atëherë edhe sot po të tregoj se edhe 500 vjet sa të kom ymër aty, njeri i gjallë s’ka me punua përveç meje ”, dëgjohet të thotë personi që flet me Fluderin.

Drejtësia në Kosovë kishte kontaktuar edhe me Enver Aliun, mirëpo ai nuk kishte dashur t’i komentojë pretendimet e Fluderit së i njëjti po e kërcënon.

Bisedat e incizuara mund t’i ndiqni në vijim.