Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës

Kërcënimi i Gazetarit nga Kryeministri Shkakton Valë Reagimesh

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka konfirmuar te dielën se vëllai i tij ka kërkuar azil në Gjermani vitin e kaluar.

Vëllai i Mustafës ka kërkuar azil për shkak të arsyeve shëndetësore shkroi kryeministri në faqen e tij zyrtare në Facebook, duke pranuar që shkrimet që ishin publikuar së pari nga një portal janë të vërteta.

Reagimi i Mustafës erdhi në ditën kur portali kosovar Insajderi botoi një artikull në të cilin thoshte se Ragip Mustafa, vëllai i kryeministrit, kishte kërkuar azil në Gjermani dhe Francë, kërkesë e cila ishte refuzuar nga të dy shtetet.

„Është e vërtetë,“ shkroi ai në mbrëmjen e së dieles. “Unë isha njoftuar më pas nga familja e vëllait tim se ai ka kërkuar leje-qëndrim jashtë vendit për t’u trajtuar nga një sëmundje e vështirë për të cilën nuk ka gjetur shërim në Kosovë”, tha kryeministri.

Rreth 100 mijë njerëz kanë ikur nga Kosovë në fund të vitit 2014 dhe fillim të 2015 me qëllimin që të marrin azil në shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

Në 2013 për azilin në Evropën Perëndimore kishin aplikuar 20,000 kosovarë.

Në 2014 numri u rrit në 40,000 dhe në 2015, familja e kryeministrit ka bërë këtë udhëtim së bashku me 72,695 azilkërkues kosovarë. Pasi që Kosova konsiderohet një vend i sigurt, pritet që të gjithë azil kërkuesit të kthehen.

Në komentin e tij në Facebook, Mustafa ka treguar se vëllai i tij ka kaluar disa procedura mjekësore dhe vazhdon të jetë një gjendje kritike. Ai gjithashtu ka thënë se nuk ishte vetëm vëllai i tij por edhe familjarë të tjerë kishin kërkuar azil jashtë vendit.

“Në valën e migrimeve, dua të jem i hapur me ju se , kanë shkuar edhe mesa e nipa të mi dhe janë kthyer. Kjo flet se edhe familjarët e mi ndajnë fatin me qytetarët e tjerë, hallexhi, të Kosovës. Prandaj si Kryeministër po angazhohem që të gjejmë zgjidhje, të liberalizojmë vizat, të tërheqim investime për të krijuar vende të punës, të përmirësojmë sistemin shëndetësor dhe që sa më pak qytetarë tanë të kenë nevojë të kërkojnë shërim në forma të tilla jashtë vendit,“ shkroi kryeministri.

Ai shtoi se ai është në dijeni të kushteve të vështira që janë kosovarët por ai do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, duke theksuar së është përgjegjësia e tij „për të gjetur zgjidhje për qytetarët e mi.“

Pas publikimit të shkrimit, autori i artikullit Vehbi Kajtazi thotë se ka marrë një telefonatë nga ana e kryeministrit në të cilën ai e kishte kërcënuar gazetarin për artikullin e shkruar.

„Ti a nuk pate me çka me u marrë a veç me vëllain  tem a? Vëllau jem nuk osht në dorën teme, por në dorën e sëmundjes. Ka kancer në fyt more qen bir qeni. Ki me pagu shtrenjtë këtë”, ka thënë gazetari Kajtazi.

Ai tha se posedon prova se telefonatat kërcënuese kanë ardhur nga numri i telefonit të kryeministrit Mustafa.

Ndaj këtij kërcënuimi të raportuar ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

AGK-ja e ka konsideruar këtë rast si skandaloz e sidomos nga fakti se ky kërcenim vjen nga një autoritet i lartë i cili sipas tyre do të duhej të ishte “garant i lirisë së shprehjes dhe ushtrimit të lirë të profesionit të gazetarisë”.

“Kjo situatë shpërfaq gjendjen e rëndë dhe kushtet e pafavorshme për ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarisë në Kosovë. Ndërkaq, kërcënimet dhe dhuna ndaj gazetarëve në rritje kërkon vëmendje të posaçme nga organet e rendit për gazetarët”, ka shkruar AGK-ja në reagimin e tyre.

AGK-ja ka kërkuar nga kryeministri që të kërkojë falje publike dhe ta sqarojë pozicionin e tij lidhur me këtë çështje, gjersa ka thënë se do të njoftoj për veprimet e mëtutjeshme në lidhje më këtë rast.

Ndërsa një ditë më vonë, kryeministri ka mohuar ta ketë kërcënuar gazetarin.

“Ajo që kam pasur për të thënë në këtë situatë, është ajo që kam dhënë në Facebook dje, aty i kam dhënë qëndrimet, dhe asnjë rast tjetër nuk e kam shfrytëzuar as të kërcënoj, as të fyej dikë. I vetmi qëndrim i imi, i cili është dhënë, dhe i vetmi prononcim i imi dhe komunikim, është ai përmes Facebook-ut dhe ai mbetet qëndrim. Mendoj se ka qenë qëndrim i drejtë”, tha kryeministri në një intervistë për radion Evropa e Lirë.